Shkëlqesisë së Saj, Znj. Vjosa Osmani – Presidente e Republikës së Kosovës
Lënda: Për standardet e dyfishta në drejtësi
E nderuara Presidente Osmani,
Si qytetar i Prizrenit dhe i Republikës së Kosovës, ndjej detyrimin moral dhe qytetar të shpreh shqetësimin tim për mënyrën se si po perceptohet zbatimi i drejtësisë në vendin tonë.
Arrestimi i prokurorit të Prizrenit, z.Beqë Shala, mëngjesin e ditës së hënë, u përcoll gjerësisht në media, dhe u paraqit si një veprim vendimtar kundër abuzimit me detyrën zyrtare. Ky veprim, në parim, duhet të përshëndetet si shenjë e funksionimit të shtetit të së drejtës. Megjithatë, mënyra e ekzekutimit publik të arrestimit, me pamje të transmetuara, duarlidhur dhe me element spektakolar, ngjalli përshtypjen e një veprimi më shumë si mediatik.
Ky trajtim kontraston dukshëm me raste të tjera të ngjashme, ku dyshimet dhe provat për korrupsion kanë qenë edhe më të rënda, por pa pasur reagim të ngjashme institucional apo mediatike. Një rast i tillë është ai i ish-prokurorit Metush Biraj, ndaj të cilit “Betimi për Drejtësi” në fund të vitit 2023 publikoi video-incizime që dokumentonin biseda lidhur me marrjen e 20 mijë eurove ryshfet në këmbim të rrëzimit të një aktakuze për shitblerje të 130 kilogramëve drogë.
Në vitin 2024, Prokuroria Themelore në Gjilan ngriti aktakuzë ndaj z. Biraj dhe bashkëpjesëmarrësve në rast, ndërsa më vonë Gjykata e Apelit e transferoi çështjen në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës, me arsyetimin se veprat e kryera përbëjnë korrupsion të nivelit të lartë.
Megjithatë, pavarësisht natyrës së rëndë të akuzës, z. Biraj, sipas raportimeve mediatike, ka vazhduar të marrë pjesë në ngjarje publike në Prizren, madje në prani të kryetarit të komunës, z. Shaqir Totaj, me të cilin raportohet se ka lidhje familjare ( nip i tij ). Kjo situatë ngre pyetje serioze për barazinë para ligjit, për pavarësinë e sistemit të drejtësisë dhe për besimin publik në institucionet e shtetit.
Nëse një prokuror që akuzohet për korrupsion të nivelit të lartë vazhdon të merr pjesë edhe në aktivitete publike pa pasoja konkrete, ndërkohë që një tjetër arrestohet në mënyrë demonstrative përmes kamerave, atëherë krijohet përshtypja e një drejtësie që reagon ndryshe ndaj “të fortit” dhe “të dobëtit”.
Ky perceptim, i përforcuar nga mungesa e transparencës mbi ecurinë e proceseve gjyqësore, dëmton themelet e shtetit të së drejtës dhe dekurajon qytetarët që të besojnë në institucionet e tyre.
Prandaj, kërkoj nga Ju, si udhëheqëse më e lartë e Republikës së Kosovës, që:
Të siguroni që masat disiplinore dhe procedurat penale të zbatohen njësoj për të gjithë, pavarësisht pozitës apo lidhjeve personale e politike;
Të mbikëqyret funksionimi i mekanizmave të llogaridhënies, në mënyrë që drejtësia të mos jetë vetëm formale, por reale dhe e besueshme për qytetarët.
Në fund, më lejoni të theksoj se besimi në drejtësi është shtylla e ekzistencës së shtetit. Si qytetar i këtij vendi, që me familje ka kontribuuar në ndërtimin e Kosovës që nga vitet e pasluftës së dytë botërore, përfshirë familjarë të burgosur politikisht, madje edhe gra, mes të cilave edhe studente ( 21 vjeçare ) të vitit 1998, që kanë sakrifikuar për lirinë e Kosovës, e ndjej të papranueshme që sot të jetojmë me ndjesinë se drejtësia i shërben disave, por jo të gjithëve.
Drejtësia duhet të jetë njësoj për të gjithë, për të fuqishmin dhe për të dobëtin, për të mbështeturin dhe për të pambrojturin.
Vetëm kështu mund të ndërtojmë një Kosovë të drejtë dhe të denjë për gjeneratat që do të vijnë.
Ndryshe, çfarë t’u themi fëmijëve? Si të qëndrojnë këtu?!


