Lajme

Për shkaqe sigurie prindërit e Marigona Osmanit largohen nga Kosova

05/30/2024 14:03
nga:Sh R

Gazmend Rexhepi – Avokati i familjes së Marigona Osmanit, ka thënë se prindërit e së ndjerës janë duke qëndruar jashtë Kosovës për shkaqe sigurie.

Rexhepi për Dukagjinin ka thënë se largimi i tyre nga Kosova është për shkak se Apeli ktheu çështjen ndaj vrasjes së Marigonës Osmani në rigjykim.

“Për shkaqe sigurie, familja e Marigona Osmanit janë larguar nga Kosova. Ata janë larguar më duket pasi Apeli e shpalli vendimin. Më shume nuk kisha dashtë të flas”, ka deklaruar Rexhepi.

Gjykata Themelore e Ferizajt më 4 gusht 2023 e ka dënuar me burgim të përjetshëm Dardan Krivaqën për vrasjen e Marigona Osmanit. Ndërsa ishte liruar nga akuza për dhunim.

Arbër Sejdiu ishte dënuar me 15 vjet burgim për ndihmë në vrasjen e rëndë në bashkëkryerje. Sejdiu ishte liruar nga vepra penale e ndihmës në dhunim.

Por, Gjykata e Apelit, me aprovimin e ankesës së Prokurorisë Themelore në Ferizaj dhe të mbrojtjes së dy të akuzuarve, e ka kthyer çështjen në rigjykim.

18-vjeçarja Marigona Osmani ishte vrarë në gusht të vitit 2021 në banesën e të akuzuarit kryesor, Dardan Krivaça.

Në aktgjykimin e Themelores qe theksuar se Krivaça, më 21 e 22 gusht të dy vjetëve më parë, për motive të xhelozisë e me vetëdije, ka ushtruar dhunë ekstreme ndaj së ndjerës Osmani, me të cilën po bashkëjetonte në banesën e tij.

Dhe se për dy ditë radhazi, ai me një shkop druri e kishte goditur viktimën vazhdimisht në pjesë të ndryshme të trupit, duke i shkaktuar dhimbje të mëdha fizike e psikike, të cilat është konstatuar se ia kanë shkaktuar vdekjen.

Dy të akuzuarit qenë liruar nga akuza për dhunim, pasi gjykata nuk ka arritur që ta konstatojë dhunimin me asnjë provë.

Familjarët e viktimës ishin ankuar se dënimi i Sejdiut ishte i ulët.

Rasti pati tronditur opinionin publik.