Kryetari i Partisë së Serbëve të Kosovës, Aleksandar Jabllanoviq thotë se Listën Serbe nuk po e presin ditë të mira, referuar këtu sulmit të 24 shtatorit në veri të Kosovës, ku si pasojë mbeti i vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku dhe ku Serbia tentoi aneksimin e pjesës së veriut të Kosovës.
“Nuk ka dyshim që na presin kohë interesante dhe nuk besoj se Lista Serbe ka një të ardhme të ndritur”, tha Jabllanoviq për GazetaBlic.
Jabllanoviq nuk ka dashur të komentojë arrestimin e pastaj edhe lirimin e Milan Radojçiqit, organizuesi kryesor i sulmit në veri të Kosovës.
Edhe pse vepron në veri, Jabllanoviq tha se për gjithë rastin është informuar vetëm nga mediat, teksa shton se nuk ka informacione më të detajuara.
“Nuk do të doja t’i komentoja ato ngjarje… Janë tema të vështira dhe nuk kam njohuri të dorës së parë, vetëm nga mediat”, shtoi tutje Jabllanoviq për GazetaBlic.
Kujtojmë se, Gjykata në Beograd sot e ka liruar Milan Radoiçiqin nga paraburgimi duke ia ndaluar shkuarjen në Kosovë.
Siç raportuan mediat në Serbi, gjyqtari ka refuzuar propozimin e Prokurorisë së Lartë Publike në Beograd për caktimin e masës së paraburgimit për shkak të rrezikut të arratisjes.
“Gjyqtari për procedurën paraprake të Gjykatës së Lartë në Beograd, pasi ka dëgjuar të pandehurin M.R. për arsyet e caktimit të paraburgimit, refuzoi propozimin e Prokurorisë së Lartë Publike në Beograd për caktimin e masës së paraburgimit për shkak të rrezikut të arratisjes, njoftuan nga Gjykata e Lartë në Beograd”, raportohet në mediat e Serbisë.
Tutje bëhet e ditur se Radoiçiqit i është konfiskuar dokumenti i udhëtimit, përkatësisht pasaporta e Republikës së Serbisë.
Sipas mediave serbe Radoiçiqi është paralajmëruar se mund t’i shqiptohet paraburgimi nëse i shkel të drejtat dhe detyrimet.
Ndryshe, Ministria e Punëve të Brendshme të Serbisë të martën kishte bërë të ditur se Milan Radoiçiq ishte arrestuar dhe se i ishte caktuar masa e ndalimit deri në 48 orë.
Radojiçiq pranoi publikisht se ka marrë pjesë në sulmet ndaj Policisë së Kosovës në fshatin Banjskë të Zveçanit më 24 shtator, ku është vrarë një zyrtar policor.
Përveç pjesëmarrjes në sulmin terrorist ndaj Policisë së Kosovës, ai kishte thënë se i ka bërë edhe të gjitha përgatitjet logjistike.
Policia e Kosovës u sulmua me armë zjarri më 24 shtator, nga një grup terroristësh serbë, ku mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku dhe u plagos polici Alban Rashiti.
Tahiri: Serbia po punon në shfajësimin e vet, kundërsulmi ynë i parë të jetë në sferën politike
Shefja e UNMIK-ut në Beograd, kërkon de-përshkallëzim dhe kthim në dialog