Zëdhënësja e LDK-së, Sibel Halimi, ka thënë se Amerika i ka qëndruar krah Kosovës që nga vitit 1996, kur hapi Zyrën Ndërlidhëse në Prishtinë, ndërsa tani kryeministri po i thotë jo garantit të lirisë sonë, raporton Gazeta Blic.
Ajo përmes një postimi në Facebook, ka thënë se ai po e rrezikon të ardhmen e vendit, për shkak se është peng i së kaluarës së tij.
Ajo ka shtuar se pa SHBA-të nuk do të jemi as demokraci, as anëtare në NATO dhe as në BE.
“Për kë bien kambanat?” ka pyetur ajo.
Postimi i saj i plotë:
Amerika që kur hapi Zyrën Ndërlidhëse në Prishtinë, më 1996 i ka qëndruar në krah Kosovës, me të gjitha mjetet dhe resurset.
Sot, një kryeministër i zgjedhur i Kosovës po i thotë jo garantit të lirisë sonë!
Për shkak se është peng i të kaluarës së tij etnonacionaliste, ai po e rrezikon të ardhmen e vendit dhe popullit të tij!?
Me Amerikën u arrit Marrëveshja e Rambouillet më 1999 dhe Serbia u ndëshkua me Tomahawk.
Me Amerikën Procesi i Vjenës kulmoi me Paketën Ahtisaari që e çoi Kosovën në 17 shkurtin e vitit 2008.
Me Amerikën u konfirmua pavarësia në GjND më 2012.
Me Amerikën fituam ushtrinë kombëtare më 2017.
Jemi në rrugë për t’u bërë një nga kombet transatlantike.
Pa Amerikën nuk do të jemi as demokraci, as anëtare në NATO dhe as në BE.
Jemi ndër fare pak vende të ndëshkuara.
Për kë bien kambanat?


