Agjencia britanike e spiunazhit, MI6, do të udhëhiqet për herë të parë në historinë 116-vjeçare nga një grua.
Blaise Metreweli, që u bashkua me agjencinë në vitin 1999, do të jetë drejtoresha e 18-të e organizatës pas largimit të Sir Richard Moore më vonë gjatë këtij viti.
Aktualisht ajo është përgjegjëse për teknologjinë dhe inovacionin dhe është shprehur “krenare dhe e nderuar” që i është kërkuar të marrë postin drejtues.
Kryeministri Keir Starmer e quajti zgjedhjen e saj si “historike në një kohë kur puna e shërbimeve sekrete britanike nuk ka qenë kurrë më e rëndësishme”.
MI6 ka për detyrë mbledhjen e informacioneve jashtë vendit me qëllim forcimin e sigurisë së Mbretërisë së Bashkuar, luftimin e terrorizmit dhe pengimin e aktiviteteve të shteteve armike.
Shefi i agjencisë, të cilit punonjësit i referohen me gërmën “C”, është personi i vetëm identiteti i të cilit bëhet publik.
Zonja Metreweli, 47 vjeç, aktualisht është drejtuese e përgjithshme e departamentit “Q”, siç njihet ai i teknologjisë dhe inovacionit, që kujdeset për ruajtjen e identiteteve të agjentëve sekretë dhe për gjetjen e mënyrave të reja për t’iu shmangur mbikëqyrjeve biometrike të vendeve rivale si Kina.
“MI6 luan një rol kyç në ruajtjen e sigurisë së popullit britanik dhe në promovimin e interesave të Mbretërisë së Bashkuar jashtë vendit. Mezi pres të punoj përkrah oficerëve dhe agjentëve të agjencisë dhe partnerët ndërkombëtarë”, ka thënë 47-vjeçarja.
Në një prononcim të mëparshëm, ajo ka identifikuar shtetin rus dhe jo Rusinë në vetëvete dhe Kinën si kërcënimet më të mëdha për vendin.