Që nga 1 gushti e deri më sot, Policia e Kosovës ka sekuestruar 13 armë zjarri që dyshohet se janë përdorur në ahengje familjare.
Përmes një njoftimi për media, Policia njofton se lidhur me rastet janë arrestuar 12 persona, pesë prej të cilëve kanë përfunduar në mbajtje.
“Që nga data 1 gusht deri sot, kontrolle të tilla janë realizuar në lokacione të ndryshme të Rajonit të Prishtinës, ku janë sekuestruar 13 armë zjarri të cilat dyshohet të jenë përdorë në ahengje familjare.
Lidhur me rastet janë arrestuar 12 persona prej të cilëve 5 janë dërguar në mbajtje”, thuhet në njoftim.
Po ashtu, Policia njofton se nisur nga fakti se dukuria e festës me armë është prezente, konform detyrimit ligjor që ka obligohet që në rastet e tilla të filloj kërkimin për armët e përdorura në rast, të ndaloj kolonat e dasmorëve për t’i kontrolluar ato dhe personat e dyshuar dhe në situata të caktuara të ndërmarrë edhe bastisje në shtëpitë ku dyshohet për raste të tilla.
“Andaj mbështetur mbi këtë bazë, apelojmë të gjithë qytetarët që tu shmangen veprimeve të tilla për arsye të sigurisë së tyre, sigurisë së të tjerëve dhe ceremonitë festive t’i kalojnë pa ndonjë incident”, vijon më tej komunikata.


