Lajme

Për çfarë veprime jashtë Kuvendit po mendon PDK për të kundërshtuar vendimin e ZRRE-së, zëdhënësi i kësaj partie jep detaje

02/08/2022 20:52
nga:Q R

Zëdhënësi i PDK-së, Faton Abdullahu, thotë  se për kundërshtimin e vendimit të ZRRE-së për shtrenjtimin e rrymës, janë duke diskutuar edhe veprime të tjera jashtë Kuvendit, për çka shpreson se këto veprimet do të mbështeten nga të gjitha subjektet dhe organizatat që janë në linjë të njëjtë me këtë kundërshtim, shkruan Gazeta Blic.

“PDK e ka ngritur çështjen e krizës energjetike dhe rritjes së çmimit të energjisë që nga shtatori i vitit të kaluar dhe nuk e kemi bërë këtë për protagonizëm politik, por si obligim qytetar për të trajtuar një çështje që e rëndon mirëqenine e çdo familjeje kosovare. Na vjen mirë që për këtë temë kemi arritur që të kemi koordinim dhe harmonizim të opozitës në Kuvendin e Kosovës, gjë që po vazhdon edhe tash, si me ftesën e seancës së ardhshme të jashtëzakonshme. Ne, si PDK po diskutojmë edhe veprime të tjera jashtë Kuvendit për të kundërshtuar vendimin skandaloz të ZRRE-së dhe të Qeverisë Kurti dhe shpresojmë se ato do të mbështeten nga të gjitha subjektet dhe organizatat që janë në linjë të njejtë me këtë kundërshtim”, deklaron Abdullahu.

Abdullahu në një prononcim për ‘Gazeta Blic’, thotë se obigimi i tyre si parti opozitare është që përmes veprimeve të tyre të ndikojnë në anulimin e vendimit për rritje të çmimit të energjisë.

“Ne e ruajmë vlerësimin parimor edhe për partitët jashtë-parlamentare, por besojmë se veprimet tona janë ato që duhen ndjekur. Andaj, ne jemi të bindur se obligimi ynë është që përmes veprimeve tona të ndikojmë në anulimin e vendimit për rritje të çmimit të energjisë, përtej tendencave për protagonizma personale”, thotë ai.

Kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj, sot  u ka dërguar ftesë të gjitha partive opozitare dhe shoqërisë civile që të diskutohet me hapat e mëtutjeshëm në kundërshtimin e vendimit të rritjes së çmimit të rrymës.

ZRrE vendosi sot për tarifa të reja të rritjes së çmimit të rrymës, të cilën partitë opozitare kanë thënë se do ta kundërshtojnë në cdo formë. Molliqaj ka bërë thirrje që hapat e mëtutjeshëm të bashkërendohen.

“Takim opozitar për një kundërpërgjigje të përbashkët. Nga nesër do t’i ftojmë në një takim për të premten të gjitha partitë parlamentare e joparlamentare opozitare, përfaqësues të shoqërisë civile, përfaqësues të sindikatave të ndryshme dhe të gjithë ata persona publik e jopublik që janë të interesuar që bashkarisht ta kundërshtojnë vendimin e rritjes së çmimit të rrymës. Bashkarisht, do të vendosim për hapat dhe mënyrën e kundërshtimit.”, shkruan Molliqaj në ftesën e tij publike.

Ai po ashtu ka treguar edhe detajet e takimit si pikat e ditës, orarin dhe vendin e takimit:

Rendi i ditës:

Diskutimi i formave të kundërshtimit të vendimit të ZRrE për rritjen e çmimit.

Të shqetësuar me vendimin e ZRrE-së ku çmimi i energjisë elektrike rritet për 100%. Pas disa javësh kundërshtimesh të propozimit të parë, aksione simbolike, konferenca e protestë të fuqishme, qeveria nuk reflektoi.

Vendimi i ri është pothuajse i njëjtë me të vjetrin. Përsëri nuk preken bizneset, dhe përsëri buxheti i republikës dëmtohet me 100 milion euro dhe poashtu për një pjesë të madhe të qytetarëve rritet fatura në fund të muajit. Në këtë krizë energjetike, të gjithë po humbim, vetëm KEDS dhe KESCO po vazhdon fitimin.

Vendi i takimit: Hotel Grand,

Ora: 13:00,

Dita: 11 shkurt 2022

Rritja e energjisë e papranueshme. Kundërpërgjigja opozitare e domosdoshme.

Vendimi për shtrenjtimin e energjisë elektrike ngjalli reagime të shumta.

/Gazeta Blic

“Befason” Kryesuesi i Bordit të ZRrE: Përfituesit më të mëdhenjë nga subvencionimi do jenë ata që shpenzojnë mbi 800kw