Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) ia pagoi 42 mijë euro për shërbime kompanisë së ushtruesit të detyrës së Sekretarit të vet të Përgjithshëm Taulant Hodajt, Hodaj & Partners, gjatë vitit 2021.
Hodaj e mban pozitën e ushtruesit të detyrës së Sekretarit të Përgjithshëm në shtëpinë e futbollit, e cila është e dyta më e rëndësishmja pas postit të presidentit.
FFK-ja ia dha kompanisë Hodaj & Partners 42 mijë euro më 2021, në vitin e njëjtë që aksionari më i madh i saj u emërua ushtrues detyre i Sekretarit të Përgjithshëm të federatës së futbollit.
Nuk është e qartë se për çfarë shërbimesh e ka paguar federata e futbollit kompaninë e zyrtarit të vet, që është një dëshmi tjetër e mungesës së transparencës e saj nën udhëheqjen e Agim Ademit.
Në raportin e auditorit të FFK-së për vitin 2021 nuk specifikohet se për çfarë shërbimesh ligjore federata e pagoi kompaninë e Hodajt në vitin 2021.
FFK-ja ka më shumë se një vit që nuk pranon assesi t’i përgjigjet Gazetës Nacionale në çfarëdo pyetjeje rreth futbollit dhe punës së saj.
Nacionale është përpjekjet të marrë ndonjë përgjigje edhe nga vetë Hodaj, i cila nuk është përgjigjur fare po ashtu.
Hodaj si ushtrues detyre dhe pa kontratë, po i shkakton telashe FFK-së edhe për ta marrë licencën për veprim nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.
Komisioni Vlerësues i Ministrisë së Sportit i ka kërkuar FFK-së që ajo ta ketë një Sekretar të përhershëm siç e kërkon Statuti i Federatës me mandat katërvjeçar, të propozuar nga kryetari dhe të votuar nga Komiteti Ekzekutiv.
Futboll / Zbulohen kushtet e shumta që FFK-ja s’i plotëson për të marrë licencën, Ministria e akuzon për shantazh e presion
Gjatë viteve të fundit, vetë kreu i federatës Ademi është përballur vazhdimisht me ligjin, dhe tani është në rigjykim për sulm dhe kërcënim ndaj një personi.
Ademi së bashku me Muharrem Ramën akuzohet se më 2012 e kishin kërcënuar dhe sulmuar Dritëro Kadollin, duke i kërkuar atij para në vlerë prej 30 mijë euro ose një veturë luksoze “BMË X5”. Për këtë ai pritet të dalë në gjyq në rigjykim në Gjykatën Themelore të Prishtinës.
Ademi ishte arrestuar dhe mbajtur shkurtimisht në paraburgim nën dyshimin për sulm ndaj një zyrtari të federatës në fillim të këtij viti.
Artan Govori – i cili është drejtor për marrëdhënie me jashtë në FFK – e akuzoi Ademin atë kohë se kishte porositur njerëz për ta spiunuar dhe se ishte fotografuar nga ta duke e takuar Bajram Zeqirin, një tjetër zyrtar të pezulluar nga Ademi.
Ai pretendon se Ademi e sulmoi për shkak të atij takimi dhe asaj fotografie.
“Sulmi që ndodhi sot ndaj meje…arsye është kjo fotografi të cilën ma kanë bërë persona të angazhuar “të paguar” (nga Agim Ademi),fotografi të cilën Agim Ademi ma dërgon një ditë më parë (ditën e martë me datë 15.03.2022). Personi i cili shihet në këtë foto së bashku me mua është një ish punëtor i FFK-së Bajram Zeqiri (i cili poashtu është i suspenduar nga Agim Ademi), me të cilin pata nje takim rasti në qytet”, shkroi Govori në Facebook në shkurt.