Lajme

Pentagoni: Deklaratat e Moskës për përdorimin e armëve bërthamore janë të rrezikshme

03/23/2022 09:02
nga:Astrit Gashi

Pentagoni ka dënuar refuzimin e Kremlinit për të përjashtuar përdorimin e armëve bërthamore gjatë konfliktit në Ukrainë.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, i tha dje CNN-it se armë të tilla mund të përdoren nëse Rusia përballet me një “kërcënim ekzistencial”.

Zëdhënësi i Departamentit amerikan të Mbrojtjes të SHBA, John Kirby, vlerësoi se “kërcënimet bërthamore të Moskës janë të rrezikshme”, raporton BBC.
“Kjo nuk është mënyra se si duhet të veprojë një fuqi e përgjegjshme bërthamore”, tha Kirby.

Kirby tha se zyrtarët e Pentagonit “nuk kanë parë asgjë deri më tani që do t’i çonte Shtetet e Bashkuara në përfundimin se duhet të ndryshojnë strategjinë e saj të parandalimit”.

Rusia ka numrin më të madh në botë të kokave bërthamore dhe presidenti rus Vladimir Putin vendosi forcat bërthamore të vendit të tij në gjendje gatishmërie më 27 shkurt, ndërsa zyrtarët perëndimorë të mbrojtjes thonë se nuk kanë parë ndonjë shenjë të rëndësishme të mobilizimit të bombarduesve strategjik rusë, raketave apo nëndetëseve.