Lajme

Pensionohet Xajë Mustafa, fotografia e të cilit u bë simbol i vuajtjeve të luftës së Kosovës

06/01/2026 22:38
nga:L J

Pas një karriere të gjatë pune dhe përkushtimi, është pensionuar Xajë Mustafa, i njohur jo vetëm si një punëtor i dalluar, por edhe si protagonisti i njërës prej historive më prekëse të luftës së Kosovës.

Me rastin e pensionimit të tij, SHFMU “Migjeni” ka vlerësuar kontributin dhe rrugëtimin jetësor të Mustafës, duke e cilësuar atë si simbol të qëndresës dhe shpresës.

“Sot nuk po shënojmë vetëm pensionimin e një punëtori të përkushtuar, por po nderojmë jetën dhe rrugëtimin e një njeriu që ka përjetuar një nga historitë më prekëse të luftës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e shkollës.

Xajë Mustafa u bë i njohur në mbarë botën gjatë luftës së Kosovës, përmes fotografisë ikonike të realizuar në vitin 1999 nga fotografi Peter Turnley. Në atë fotografi ai shfaqej duke mbajtur fotografitë e dy fëmijëve të tij të zhdukur, me shpresën se dikush do t’i njihte dhe do ta ndihmonte t’i gjente.

Fotografia u bë një nga imazhet më të fuqishme të luftës së Kosovës dhe një simbol i vuajtjeve që përjetuan mijëra familje shqiptare gjatë asaj periudhe.

Sipas njoftimit të shkollës, gjatë luftës Mustafa ishte burgosur nga forcat serbe dhe për një kohë të gjatë nuk kishte asnjë informacion për fatin e familjes së tij.

“Xajë Mustafa mbetet një simbol i qëndresës, shpresës dhe dashurisë familjare. Ishin ditë të mbushura me ankth, dhimbje dhe pasiguri, të cilat lanë gjurmë të pashlyeshme në jetën e tij”, thuhet më tej në njoftim.

Pas përfundimit të luftës, historia e tij mori një kthesë të jashtëzakonshme. Ai u ribashkua me familjen dhe mësoi se fëmijët e tij ishin gjallë, në një ngjarje që edhe sot konsiderohet ndër tregimet më prekëse dhe më shpresëdhënëse të pasluftës në Kosovë.

Pavarësisht plagëve të luftës, Mustafa vazhdoi jetën me dinjitet, duke punuar me ndershmëri dhe përkushtim deri në ditën e pensionimit.

“Pavarësisht plagëve që la lufta, Xajë Mustafa vazhdoi jetën me dinjitet, duke punuar me ndershmëri dhe përkushtim”, thuhet në njoftimin e SHFMU “Migjeni”.

Në fund, kolegët dhe komuniteti shkollor i kanë uruar atij pensionim të mbarë, shëndet, lumturi dhe shumë vite të qeta pranë familjes së tij.

Historia e Xajë Mustafës mbetet një dëshmi e forcës njerëzore, e shpresës dhe e triumfit të dashurisë familjare mbi vuajtjet e luftës.