Lajme

“Pensionet për veteranët të jenë 500 euro”, eksperti i ekonomisë tregon pse nuk duhet të përfshihen në ligjin për pagën minimale

06/09/2022 17:46
nga:G B

Të hënën veteranët e luftës protestuan para Kuvendit të Kosovës, pasi ky i fundit po diskutonte për ligjin e pagës minimale, në të cilën ata nuk janë të përfshirë.

Në protestë pati përplasje mes tyre dhe Policisë, ku këta të fundit u hodhën dhe gaz lotsjellës.

E ligji nuk u miratua pasi seanca përfundoi në mungesë të kuorumit.

Veteranët kanë paralajmëruar protesta të tjera për këtë çështje, derisa sot kryeministri Albin Kurti ka thënë se duhet të rriten pensionet për veteranët, por fillimisht duhet të pastrohen listat.

Se veteranët nuk duhet të përfshihen në ligjin për pagën minimale mendon eksperti i sigurisë, profesori Mustafë Kadriaj.

Ai në një prononcim për Gazeta Blic, thotë se ndaj tyre po bëhet padrejtësi nga qeveritë e kaluara dhe tani por që ata duhet të kenë pensione të veçanta dhe të mos përzihen në pagën minimale por të kenë pensione që i meritojnë, siç i quan ai kategoria e artë.

“Së pari të flas për veteranët dhe çështjen e tyre dhe si ekspert i ekonomisë dhe kur dihet se çfarë mirëqenie kanë qytetarët dhe vetë veteranët, vlerësoj se padrejtësia ndaj veteranëve ka qenë edhe në qeveritë e kaluara dhe po vazhdon edhe tani. Po flas për veteranët e vërtetë pasi është mbipopulluar edhe statuti i veteranëve duke futur njerëz në lista edhe pa qenë. Unë jam ithtar i asaj që veteranët të mos përzihen me rritjen e pagës minimale pasi janë kategori e veçantë, ndoshta nëse flas në veten e parë unë do t’i quaja kategoria e artë sepse kanë bërë një punë jashtëzakonisht vetëmohuese dhe sot jemi ku jemi dhe e gëzojmë lirinë padyshim”, tha ai,

Kadriaj vlerëson se duhet një kompensim i dinjitetshëm, që pension prej 500 eurosh, në mënyrë që të mund ta përballojnë koston e çmimeve.

“Në këtë rast vlerësoj se qeveria duhet të ketë parasysh, edhe parlamenti, pozitë e opozitë që për veteranët të ketë një pagë të dinjitetshme, një kompensim të dinjitetshëm që ata nëse nuk iu lejohet as të punojnë në sektorin privat e as publik, ata duhet të kenë një kompensim që ta mbajnë veten dhe familjen dhe për një kompensim të dinjitetshëm unë kam qenë ithtar dhe jam për një kompensim 500 euro minimumi sepse përndryshe nuk mund ta kalojnë muajin, me koston e çmimeve që i dimë secili qytetar”, thekson eksperti i ekonomisë për Gazeta Blic.

Ai tregon edhe arsyet se pse veteranët nuk duhet të përfshihen në pagën minimale.

“Ndërsa se pse nuk duhet të përzihet me pagën minimale është se veteranët nuk ndikojnë në rritjen ose produktivitetin ekonomik në vend sepse paga minimale duhet të jetë për sektorin publik dhe privat, në bazë të bruto-produktit, në bazë të rritjes ekonomike, inflacionit dhe gjithë treguesit tjerë ekonomikë të cilët ndikojnë, të jetë e harmonizuar me nivelin e kërkesave të shportave të konsumit”, potencon Kadriaj.

Po ashtu, ai vlerëson se qeveria duhet ta ketë qëllim që t’i mbajë në Kosovë dhe mos t’i lë të ikin jashtë fuqinë punëtore, derisa thekson se me pagën minimale që synon ta bëjë, kjo do të jetë e vështirë.

“Dhe qëllimi tjetër më madhor që është që qytetarët dhe fuqinë punëtore t’i mbajmë brenda territorit të Kosovës sepse me këtë pagë minimale që po pretendon qeveria 250-260 euro, vlerësoj se nuk mund ta ndalin këtë ikje të rinisë dhe qytetarëve nga vendi. Pra në këtë drejtim duhet ta kenë të qartë që nëse nuk e bëjnë një pagë minimale, që unë kam qenë ithtar për një pagë minimale 350 euro, që edhe duke mos e dëmtuar edhe sektorin privat por një pagë që do t’ia dilte kushtimisht brenda muajit me shportën e konsumit së paku. Kjo është ajo që mendoj dhe vlerësoj dhe shpresoj të mos keqpërdoret e të merret parasysh, edhe për pagën minimale edhe për veteranët”, deklaron profesori Mustafë Kadriaj./Gazeta Blic/