Lajme

Pengoi procesin mësimor, arrestohet ish-mësimdhënësja e shkollës “Pjetër Bogdani”

09/04/2024 21:25
nga:Y I

Ish-mësuesja e shkollës ‘’Pjetër Bogdani’’ në Prishtinë është arrestuar për shkak të pengimit të procesit mësimor.

Ndaj saj janë parashtruar shumë ankesa nga prindërit, ndërsa transferi i saj në një tjetër shkollë është bërë me kërkesë unanime të tyre.

Në këtë shkollë dha mësim për vite të tëra.

Por gjatë kësaj kohe, për ish-mësuesen u drejtuan shumë ankesa.

Andaj për shkak të masave disiplinore, ky vit shkollor për të po niste në një ambient të ri.

Kjo pasi që ajo u transferua në një tjetër shkollë në periferi të kryeqytetit.

Megjithatë ish-mësuesja këtë vendim nuk e kishte marrë parasysh.

E në shenjë revolte, ajo ishte paraqitur në shkollën ‘’Pjetër Bogdani’’ edhe të martën.

Në këtë mënyrë, ish-mësuesja kishte penguar procesin mësimor.

“Një ish-mësuese, faktikisht në masa disiplinore që është ndërmarrë që iu ka ndërruar vendi i punës dhe ajo në shenjë të protestës është munduar me e pengua mësimin. Është rast i izoluar, një mësuese që për fajin e saj sepse ka pasur ankesa nga prindërit dhe ne si DKA e kemi marrë vendimin me transferuar në tjetër shkollë…Ankesa ka qenë në mënyrë unanime e prindërve dhe kjo nuk ka qenë hera e parë dhe ne është dashur gjithqysh me marr masa”, tha drejtoresha e Arsimit, Jehona Lushaku-Sadriu.

Prandaj ditën e djeshme ajo u arrestua.

“Është arrestuar e dyshuara femër kosovare, pasi e njëjta kishte penguar procesin mësimor. Me vendim të prokurorit, e dyshuara është dërguar në mbajtje”, thuhet nga Policia e Kosovës.

Sipas burimeve të TëVë1 , e dyshuara ndodhet akoma në mbajtje për shkak edhe të sjelljeve jo të duhura me zyrtarët policorë.