Vizita historike e presidentit të Maqedonisë së Veriut Stevo Pentarovski në Greqi, e para që kur vendi fitoi pavarësinë në 1991 ka filluar në mesditën e së martës në pallatin Presidencial në Athinë ku ai është pritur nga presidentja greke me një ceremoni zyrtare dhe dhënien e nderimeve shtetërore dhe ushtarake.
Gjithashtu ajo ndodh dy vjet e gjysmë që nga fillimi i zbatimit të Marrëveshjes së Prespës, duke marrë një peshë të veçantë dhe rëndësi simbolike por edhe kuptim të rëndësishëm në drejtim të zhvillimit të marrëdhënieve dypalëshe.
Greqia i kushton një rëndësi të madhe zgjerimit të marrëdhënieve dypalëshe, por edhe perspektivës evropiane të Maqedonisë së Veriut, me parakushtin kryesor zbatimin e plotë të Marrëveshjes së Prespës ka deklaruar zonja Sakellaropoulou, ndërsa nga ana e tij Stevo Pendarovski u përgjigj me shprehjen latine se “marrëveshjet duhet të respektohen” .
Katerina Sakellaropoulou: Vizita juaj është vizita e parë e një presidenti të Maqedonisë së Veriut në vendin tim në 30 vitet e fundit dhe si e tillë e merr një rëndësi të veçantë në lidhje me marrëdhëniet e dy vendeve tona.
Edhe kreu i qeverisë greke Kyriakos Mitsotakis pasi ka shprehur ngushëllimet për vdekjen e pacientëve në spitalin e Tetovës riafirmoi mbështetjen e Greqisë në procesin e rrugëtimit europian të Ballkanit Perëndimor dhe Maqedonisë se Veriut në veçanti, në përputhje me kriteret e përcaktuara.
Nga ana e tij Pendarovski ka kërkuar të fillojnë më në fund negociatat e integrimit ne BE pasi vendi i tij ka pritur për 16.5 vjet është ende në statusin e një vendi kandidat dhe nuk kërkon anëtarësim brenda natës, por mundësinë për fillimin e tyre.
Stevo Pendarovski: Greqia është një nga mbështetësit më të zjarrtë të integrimit të Maqedonisë së Veriut në BE. Ne presim që nesër, në Slloveni, së bashku me shumë nga miqtë tanë të tjerë evropianë, të mbështesni kërkesën e të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe veçanërisht të Maqedonise se Veriut.
Kyriakos Mitsotakis dhe Stevo Pendarovski konfirmuan vrullin e rëndësishëm që po formohet në marrëdhëniet dypalëshe dhe ranë dakord për ti thelluar dhe zgjeruar ato duke vene theksin në sektorët e ekonomisë, investimeve dhe energjisë.