Për të fituar ndeshje dhe rrjedhimisht tituj, skuadrat më të mëdha në Evropë studiojnë dhe i përkushtohen edhe detajeve më të vogla të cilat në jo pak raste rezultojnë vendimtare.
Këtë ka bërë edhe klubi i Liverpool që prej kohësh, (kjo e pranuar edhe nga ana e trajnerit Jurgen Klopp), i dedikohet goditjeve të penalltive.
The Reds, gjatë këtyre sezoneve ia kanë dalë që të fitojnë trofe si Carabao Cup dhe FA Cup për shkak të përqindjes së lartë të saktësië nga 11-metrat dhe puna është shpërblyer. Së fundmi, në finalen e Community Shield, Mohamed Salah gjithashtu u tregua i saktë nga pika e bardhë e penalltisë me sulmuesin egjiptian që i dhuroi avantazhin 2-1 të tijve.
Ekzekutimin e asaj penalltie e ka komentuar edhe një nga psikologët sportivë më të famshëm si Geir Jordet, i cili thekson se nuk është aspak rastësi që shokët e skuadrës rreshtohen para egjiptianit në mënyrë që ky i fundit të mos ndikohet nga lojërat psikologjike që provojnë kundërshtarët.
“Liverpool ashtu si edhe në sezonin e kaluar, tregohet një skuadër e vërtetë kur vjen puna te penalltitë. Lojtarët izolojnë goditësin e penalltisë duke mos lejuar kundërshtarët të nisin me lojërat psikologjike. Kështu, Salah mund të përqëndrohet totalisht te ekzekutimi i penalltisë. Kur lojtarët e Cityt afrohen te Salah, Thiago dhe Elliot dalin para kundërshtarëve. Thiago merret me Ederson ndërsa Elliot mbulon Salah, në fund është sërish Thiago që shoqëron lojtarët e Cityt.
Këtë rol e ka normalisht kapiteni, Jordan Henderson, por ai kishte dalë nga loja dhe Elliot edhe pse është i ri, e kreu misionin me sukses. Fakti që lojtarët e tjerë zëvendësojnë Henderson, tregon më së miri se bëhet fjalë për një strategji të skuadrës dhe është shumë interesante”, u shpreh Jordet.



