Lajme

Pejë: Arrestohet i biri që terrorizoi babanë me gurë e muzikë të lartë, pengoi edhe udhëtimin për në aeroport

07/24/2025 23:07
nga:Y I

Sinjali mëson për një rast të rëndë të dhunës në familje që ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të së enjtes në Pejë, ku një burrë i dehur ka ushtruar dhunë psikologjike dhe fizike ndaj babait të tij.

Burimet e gazetës brenda Policisë bëjnë me dije se rasti ka ndodh më 24 korrik 2025, në rrugën ” Hazir Taraku” ku viktima A. M. rreth 71-vjeçar ka deklaruar se që nga mesnata kishte pasur përplasje me të birin, të dyshuarin J.M. rreth 36-vjeçar.

Sipas deklaratës së viktimës, djali i tij kishte lëshuar muzikë me zë të lartë në mënyrë të qëllimshme dhe kishte hedhur gurë drejt tij dhe familjarëve të tjerë. Për më tepër, ai kishte penguar babain të largohej nga shtëpia për të shkuar në aeroport, duke e bllokuar me sjellje të dhunshme.

Pas një raportimi tjetër të bërë rreth orës 13:00, patrulla policore ka shkuar sërish në vendin e ngjarjes dhe ka arrestuar të dyshuarin, i cili ishte nën ndikimin e alkoolit, me një nivel prej 0.71 promil.

Burimet konfirmojnë se Prokurori i Shtetit ka urdhëruar inicimin e hetimeve penale ndaj tij për veprën “Dhunë në familje”.

Policia është në pritje të këndelljes së të dyshuarit, i cili do të intervistohet pas daljes nga gjendja e dehjes. Rasti është në trajtim nga Njësia e Hetimeve në Pejë.