Sporti

Peja mposhtet në ndeshjen e parë kualifikuese për FIBA Europe Cup

09/24/2024 21:34
nga:Mergim Rreci

Skuadra e Pejës ka pësuar humbje të thellë në ndeshjen e parë kualifikuese për FIBA Europe Cup pasi është mposhtur në Greqi nga Maroussi.

Në duelin e parë, të luajtur të martën, Peja është mposhtur me rezultatin 98:75 dhe është në prag të eliminimit në fazën kualifikuese të kësaj gare.

Peja do ta luaj edhe ndeshjen e dytë të enjten ndaj Maruossit, por vështirë se do të mund ta shkrijë epërsinë e duelit të parë për t’u kualifikuar në fazën grupore të FIBA Europe Cup.

Maruoussi gjatë tërë ndeshjes është treguar ekip më i mirë dhe gjatë tërë kohës ka qenë në epërsi ndaj Pejës.

Edhe pse katër lojtarë të Pejës e mbyllën ndeshjen me pikë dyshifrore, ata nuk arritën ta ndihmojnë ekipin kosovar për të evituar humbjen me 23 pikë dallim.

Darnell Cowart, përforcimi më i ri i Pejës që debutoi ndaj Maroussit ishte më efikasi me 21 pikë të shënuara kurse Jawaun Daniels realizoi 17 sosh.

Edhe përballja e dytë mes këtyre dy skuadrave që luhet të enjten mbrëma, do të zhvillohet në Greqi.