Lajme

Peci për prishjen e koalicionit me LDK-në në Mitrovicë: Me 3% nuk mund të kesh nënkryetarin, drejtori e ndërmarrje

02/04/2026 12:53
nga:Sh R

Kryetari i Mitrovicës së Jugut, Faton Peci, pas daljes së Lidhjes Demokratike të Kosovës nga koalicioni qeverisës në këtë komunë ka thënë se askush nuk mund të pretendojë që me 3 për qind të votave të ketë edhe pozitën e nënkryetarit edhe drejtori e edhe të pretendojë të marrë të gjitha ndërmarrje komunale.

“Unë kam qenë tepër bashkëpunues më shumicën prej partive politike dhe asalmbleistëve që janë në Kuvendin Komunal të Mitrovicës. Qasja ime ka qenë tepër gjeneroze, por nuk mundesh me pretenduar me 3 për qind as me qenë nënkryetar i komunës, as me marrë më shumë përgjegjësi që nuk të takon, e lëre më të kesh pretendime që të drejtosh të gjitha ndërmarrjet komunale, katër prej sosh që i kemi. Nuk mundesh me 3 për qind me marrë edhe përgjegjësi në ekzekutiv, edhe kryesuesin, edhe drejtorë, me pasur kërkesë edhe për nënkryetar edhe për katër ndërmarrje”, deklaroi Peci para gazetarëve.

Kryetari i Mitrovicës tha se duhet që kërkesat të jenë në proporcion me fuqinë politike.

“Mendoj që njëherë e mirë ne si politike duhet të edukohemi që edhe kërkesat t’i kemi në proporcion me fuqinë politike”, tha ai.

Më herët, Lidhja Demokratike e Kosovës në Mitrovicë bëri të ditur se për shkak të mosrespektimit të marrëveshjes për bashkëqeverisje dhe, sipas tyre, shpërfilljes së propozimeve zyrtare të Degës së LDK-së, ka marrë vendim për dalje nga koalicioni qeverisës./RTK