Lajme

Peci: Kjo që po bën Komuna e Prishtinës për Ukrainën, është përkrahje e idesë së lirisë kundrejt tiranisë dhe robërisë

02/23/2023 10:35
nga:Astrit Gashi

Ka disa ditë që Komuna e Prishtinës me disa detaje të vogla simbolike, i ka dalë në krahë Ukrainës që nesër shënon 1 vjetorin që kur Rusia po e sulmon pa mëshirë.

Fillimisht në disa lagje ka lyer zebrat me ngjyrat e flamurit të shtetit ukrainas, e më pas ka caktuar një seancë të jashtëzakonshme për Ukrainën.

Seanca do të mbahet të premten, ditën kur bëhet rrafsh një vit nga sulmi që Rusia ka nisur atje (Ukrainë).

Kjo iniciativë dhe simbolet nëpër Prishtinë u pritën mirë nga të gjithë.

Komuna mori mbështetje dhe lëvdata edhe nga drejtori i KIPRED, Lulzim Peci.

“E përgëzoj Komunën e Prishtinës për stolisjen e qytetit me ngjyrat e flamurit te Ukraines ne një vjetorin e agresionit te Rusisë”, ka shkruar Peci në Facebook, sipas të cilit solidarizimi me Ukrainën sot është përkrahje e idesë së lirisë kundrejt tiranisë dhe robërisë.