Drejtori i KIPRED-it, Lulzim Peci, është shprehur skeptik së marrëveshja për normalizim mes Kosovës dhe Serbisë do të mund të zbatohet.
Në diskutimin me temën “Propozimi evropian për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, e organizuar nga Qendra Mediale në Çagllavicë, ku morën pjesë edhe ambasadorat e Francës dhe të Gjermanisë, Oliver Guerot dhe Jorn Rohde, Peci tha se “kemi mbetur prapa dhe kemi arritur deri aty saqë në situata të caktuara ta rrezikojmë edhe sigurinë rajonale, këtu i referohem raportit Kosovë-Serbi”.
Kurti e Vuciqi kanë qëllime të kundërta dhe duan të humbin kohë. Kjo më bënë skeptik se do të zbatohet marrëveshja. Edhe nëse zbatohet shija politike do të jetë e rëndë që marrëveshja të zbatohet në tërësi”, ka theksuar Peci.
Ai ka thënë se duhet kalim i hapit të madh drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve.
“Nëse mendojmë që në këtë formë siç jemi tani mund të ecin, do të jetë e vështirë. Kam qenë më optimist. Sa i përket rolit ndërmjetësues të BE-së mendoj se aneksi nuk është sa duhet i qartë dhe kjo po i jep hapësirë keqinterpretimeve të marrëveshjes së arritur në Bruksel dhe pastaj asaj në Ohër. Kam frikë se si është duke shkuar mund të reflektohet edhe në rritjen e tensioneve etnike sepse dy popujt i kanë pritjet e veta nga dialogu. Nëse këto pritje nuk e kanë një emërues të përbashkët të jetës paqësore në këtë vend, kjo marrëveshje ka mundësi të na kthehet bumerang dhe të prodhojë konflikte”, ka theksuar Peci.


