Ministri i Bujqësisë, Faton Peci i ka reaguar deputetit të LDK-së, Avdullah Hoti, pasi ky i fundit pati kritika të shumta për punën që po bën ministria.
Peci përmes një shkrimi në “Facebook” thotë se, nganjëherë është mirë të dish kur të heshtësh njëjtë sikurse të dish kur të flasësh.
Peci ka përmendur gjerë e gjatë disa nga të arriturat në këto dy vite qeverisje, teksa ka paralajmëruar Hotin që herën tjerë do të publikojë fakte të reja të natyrave të ndryshme.
Shkrimi i plotë:
I tregoni dikush Avdullahut që nganjëherë është mirë të dish kur të heshtësh njëjtë sikurse të dish kur të flasësh.
Kemi rritur përkrahjen faktike ndaj bujqve për të gjithë nën-sektorët e bujqësisë për dallim nga qeverisja juaj kur promovonte rritje fiktive.
Nëse krahasojmë vitin 2020 me vitin 2022, kemi rritur subvencionet për një përqindje dukshëm më të lartë se vetë shkalla e inflacionit.
Përqindja e rritjes së subvencioneve ka arritur deri në 216% krahasuar me subvencionet e paguara për vitin 2020.
Rritja e subvencioneve, jo vetëm qe e ka amortizuar efektin e inflacionit por ka mundësuar rritjen e sipërfaqeve të mbjella me kultura bujqësore.
Sipas të dhënave që posedojmë si institucion, në vitin 2022 sipërfaqet e mbjella me drithëra janë rritur nga 68,728 ha (2021) në 91,436ha që bie një rritje prej 33%.
Rritja ka përfshirë mbështetjen për plehra artificiale, ku për çdo hektarë të mbjellur me drithëra bujqit kanë përfituar deri 150 euro për hektarë kompenzim për plehërim.
Për herë të parë që nga themelimi I Institucioneve të Republikës së Kosovës, kemi arritur që të subvencionojmë edhe vlerën e akcizës së naftës së shpenzuar nga bujqit.
Për t’ia ilustruar më detajisht deputetit Avdullah Hoti, për çdo litër të naftës së shpenzuar, bujqit kanë përfituar 0.36€ për litër.
Për herë të parë, Avdullah, Programi i Subvencioneve është ekzekutuar 100%, 28 222 fermer përfitues në vlerë prej 61.8 milion euro. Duke mos i lënë 40 milionë euro obligime siç i kemi gjetur kur kemi marrë detyrën .
Kemi instaluar meritokraci, duke promovuar transparencën, luftuam krimin e korrupsionin, demaskuam e denoncuam zhvatës e uzurpatorë e shumë e shumë të tjera.
Kaq kësaj here Avdullah. Të tjera herë, edhe fakte të tjera, të natyrave të ndryshme, sa të duash.