Lajme

PDK përkrah dialogun vetëm mbi bazën e Kushtetutës së Kosovës

12/08/2021 14:22
nga:Q R

Deputetja e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi, duke komentuar qëndrimin e kryeministrit Kurti për asociacionin, thotë se PDK-ja është pro fillimit të dialogut, në mënyrë që, sipas saj, ky i fundit të jetë në përputhje me Kushtetutën e vendit, shkruan Gazeta Blic.

Musliu-Shoshi,  thotë për ‘Gazeta Blic‘ se dialogu duhet të përfundojë vetëm me njohjen e Republikës së Kosovës, nga Serbia.

“Ne si PDK mbështesim vazhdimin e dialogut Kosovë-Serbi, mirëpo ky duhet patjetër që të përfundojë me njohjen e Kosovës nga Serbia, sepse në të kundërtën kjo marrëveshje nuk sjell stabilitet. Ne dialogun si proces, e mbështesim vetëm në përputhje me Kushtetutën e Kosovës”, thotë Musliu-Shoshi.

Ndryshe, Kurti të martën në konferencën e përbashkët me Borell tha se Asociacioni është në shërbim të Beogradit teksa Borell tha se s’pajtohet me Kurtin që Gjykata Kushtetuese nuk e mundëson zbatimin e marrëveshjes për Asociacioni.

Kryeministri Kurti tha se Asociacioni do t’i shërbejë Beogradit më shumë se sa qytetarëve serbë.

“Të gjitha zgjidhjet që vijnë nga lart për të kënaqur politikanët e caktuar s’janë demokratike e unë jam demokrat dhe besoj se kapitujt e ardhshëm mes Kosovës dhe Serbisë s’duhet të jenë për të shpëtuar lëkurën e një politikani por t’i shërbejnë popullit dhe kam frikë se ky Asociacion është në shërbim të Beogradit shumë më shumë se sa ndonjë qytetari serb të Kosovës të cilëve u shërbej poaq si kryeministër i kësaj republike”, tha Kurti.

Pyetjes së njëjtë të gazetarëve në konferencë iu përgjigj edhe Shefi i Politikës së Jashtme, Josep Borell.Borell tha se s’pajtohet me kryeministrin Kurti se Gjykata Kushtetuese e pamundëson zbatimin e Asociacionit, duke thënë se Asociacioni duhet të zbatohet sepse është marrëveshja më e rëndësishme.

“Nuk pajtohem me juve kur thoni se Gjykata Kushtetuese e bën të pamundshme implementimin e marrëveshjes së Asociacionit që është lidhur nga përfaqësuesit e të dy palëve në pajtim me normat ndërkombëtare për lidhjen e marrëveshjeve dhe në kuadër të dialogut dhe më vjen keq kryeministër më duhet t’ju kërkojë për implementimin e kësaj marrëveshje. E di se ka marrëveshje të pa implementuara nga të dyja palët por kjo është më e rëndësishmja”, tha ai.Ai tha se është demokrat poashtu por që s’i shërben asnjë politikani, duke ia përkujtuar kryeministrit Kurti se dialogu është i vetmi forum për zgjidhjen e çështjeve.“Më lejoni të them se edhe unë jam demokrat dhe nuk jam këtu për të shërbyer cilindo politikan nga cilado anë. Ajo çfarë ka ndodhur me tabelat e veturave ka dëshmuar se dialogu është i vetmi forum për të zgjidhur të gjitha çështjet e hapura. Do të doja që ju të merrni parasysh rëndësinë e këtij dialogu për të tejkaluar vështirësitë për Kosovën për integrim të plotë në bashkësinë ndërkombëtare”, tha ai.

‘Paqe’ me Qeverinë: Si e bindi Sveçla SBASHK-un që ligji i pagave do të jetësohet në mars të 2022- Jasharaj flet për takimet me ekzekutivin