Partia Demokratike në Prishtinë, sot përmes një konference për media alarmoi për situatën e krijuar me menaxhimin e mbeturinave në kryeqytet, e cila po bëhet e papërballueshme dhe e rrezikshme për qytetarët e Prishtinës.
Asamblistja e PDK-së në Kuvendin Komunal të Prishtinës, Gresa Lahu, theksoi se përveç mungesës së shërbimeve në grumbullimin e mbeturinave, mungesë ka edhe te mekanizmat veprues, siç janë kamionët dhe kontinjerët.
Ajo tha se udhëheqësit komunal në krye me Përparim Ramën dhe drejtorin e DSHP-së, Bekim Brestovcin, kanë tendencë të shtyejnë përpara vendime që jo vetëm e dëmtojnë xhepin e qytetarëve dhe buxhetin e komunës, por në mënyrë direkte dhe të pakthyeshme i dëmtojnë edhe rreth 900 punëtorë të ndërmarrjes publike, duke i lënë ata të pa punë dhe duke e falimentuar ndërmarrjen
“Pastrimi”, gjë që do të krijonte krizë socio-ekonomike në rreth 900 familje.
Ndërsa, Granit Geci, asamblisti tjetër i PDK-së në Kuvendin Komunal të Prishtinës, shprehu shqetësimin e tij në mungesën e vullnetit dhe mbështetjen e Komunës së Prishtinës ndaj ndërmarrjes publike, e cila operon në kushte të vështira, gjendje kjo e krijuar qëllimshëm nga Komuna e Prishtinës, që t’ia japë më lehtë tenderin prej 16.5 milion eurosh operatorit privat në këtë veprimtari publike.
Kjo gjendje me menaxhimin e mbeturinave në Prishtinë, sipas tij, është e qëllimshme që të favorizohet operatori privat, duke mos e harruar as faktin që Komuna e Prishtinës tash e 3 vite nuk e ka blerë as edhe një kamion të vetëm për ndërmarrjen publike dhe po i ruan kontinjerët e rinj për t’ia ofruar operatorit privat.
Asamblistët e PDK-së në Kuvendin Komunal të Prishtinës do të ushtrojnë të drejtën e tyre në Plotësim/ndryshimin e Rregullores për Menaxhimin e Mbeturinave dhe i kanë ftuar të gjithë asamblistët e tjerë ta mbështesin rregulloren, e cila ka për qëllim përmirësimin e situatës me mbeturinat në kryeqytet.
Ata i kanë bërë thirrje edhe kryetarit Përparim Rama, që urgjentisht ta bëjë shpërndarjen e kontinjerëve, të investojë në kamionë të rinj dhe të anulojë tenderin 16 milionesh, i cili rrezikon grantin e KFW-së në vlerë mbi 70 milionë euro, marrëveshje kjo që do të garantojë një zgjidhje afatgjate për përmirësimin e gjendjes në kryeqytet.