Partia Demokratike e Kosovës këtë të enjte ka zgjedhur kryesinë e re të partisë, por kush janë emrat e rinj që për herë të parë u bënë pjesë e lidershipit të PDK-së?
Profesoresha e Psikologjisë, Donika Shahini-Lami, nga sot është bërë pjesë e kryesisë së PDK-së dhe anëtare e Këshillit Drejtues. Ajo më parë ka punuar për 10 vjet në Organizatën për Bashkëpunim dhe Siguri në Evropë, OSBE.
Shahini-Lami po ashtu njihet për punën e saj si gazetare gjatë luftës në Kosovë, si dhe ka punuar për Televizionin Publik Japonez NHK dhe ka bashkëpunuar me media të ndryshme ndërkombëtare.
Në kryesinë e re të PDK-së është zgjedhur edhe Jakup Nura, bashkëpunëtor i ngushtë i komandantit legjendar të UÇK-së, Adem Jashari.
Sapo Ndodhi:
33-vjeçari nga Kosova humb jetën në Ulqin
Bernard Nikaj – profesor, diplomat, ish-ambasador i Kosovës në Bruksel – i është bashkuar PDK-së.
Anëtare e re është zgjedhur edhe Besa Kabashi-Ramaj që ka përvojë të gjatë në fushat e sigurisë ndërkombëtare, politikat e mbrojtjes dhe menaxhmentit. Ajo ka punuar për shumë organizata e fondacione vendore dhe ndërkombëtare.
Edhe bashkëpunëtori i afërt dhe shefi i stafit të ish-kryeministrit dhe ish-presidentit Hashim Thaçi, Bekim Çollaku, do të jetë në ekipin drejtues të PDK-së.
Në kryesinë e re të partisë që drejtohet nga Memli Krasniqi është edhe shefi i kabinetit të ish-kryetarit të PDK-së Kadri Veseli dhe këshilltari i ish-kryetarit të PDK-së Hashim Thaçi, Adri Nurellari, i cili është politolog, pedagog dhe publicist.
Sekretar i përgjithshëm i PDK-së është zgjedhur Bajrush Xhemajli. Kryesia e re e PDK-së me vendim të Këshillit Drejtues do të ketë pesë nënkryetarë dhe pesë sekretari. Nënkryetarë të PDK-së janë zgjedhur Vlora Çitaku, Uran Ismaili, Ramë Buja dhe Enver Hoxhaj.


