Drejtori ekzekutiv i KDI-së, Ismet Kryeziu, ka thënë se PDK e ka konfirmuar qëndrimin kundër bashkëpunimit me VV-në e po ashtu edhe qenka pozicionuar kundër iniciativës së LDK-së për qeveri tranzicioni, raporton Gazeta Blic.
Në anën tjetër, ai ka thënë se VV i ka mbyllur vetes shumicën e opsioneve duke përjashtuar bashkëpunimin me disa nga subjektet politike parlamentare, përfshirë PDK-në.
Sipas Kryeziut, zgjidhja më e mirë janë zgjedhjet e reja dhe sa më shumë vonohet ky vendim, dëmi bëhet më i madh.
Postimi i tij i plotë:
PDK e paska rikonfirmuar qëndrimin e saj kundër çdo bashkëpunimi me VV-në dhe, në mënyrë diplomatike, qenka pozicionuar edhe kundër iniciativës së LDK-së për një qeveri kalimtare gjithëpërfshirëse. Nga ana tjetër, VV i ka mbyllur vetes shumicën e opsioneve duke përjashtuar bashkëpunimin me disa nga subjektet politike parlamentare, përfshirë PDK-në. LDK gjithashtu ka bërë të qartë se nuk mbështet asnjë koalicion të ri qeverisës, duke propozuar vetëm një qeveri tranzitore gjithëpërfshirëse – ide që, siç duket, nuk po gjen mbështetje.
Kur secila palë mban pozicione të prera dhe nuk ka vullnet për kompromis, hapësira për zgjidhje politike përmes marrëveshjes bëhet gjithnjë e më e ngushtë.
Në këso situatash, alternativa më demokratike dhe më e ndershme është t’u drejtohemi qytetarëve – përmes zgjedhjeve të reja. Sa më shumë që vonohet ky vendim, aq më i madh bëhet dëmi për demokracinë, institucionet dhe zhvillimin e vendit.
Ndoshta pas zgjedhjeve, secili subjekt do ta ketë më të lehtë ta kalojë “ylberin” për të reflektuar mbi arsyen e vërtetë pse ekzistojnë partitë politike: për interesin qytetar.


