Lajme

PDK kërkon hetim parlamentar për tekstet shkollore dhe kontrata një burimore

02/12/2024 12:40
nga:N K

Partia Demokratike e Kosovës ka paralajmëruar themelimin e dy Komisioneve Hetimore Parlamentare në Kuvendin e Kosovës.

Çështja e teksteve shkollore dhe kontrata një burimore, duhet të hetohen sipas PDK-së.

Shefi i Grupit Parlamentar të kësaj partie, Abelard Tahiri, tha se procesi i teksteve shkollore është i degraduar dhe se është kaluar shumë e paraparë për pagesa.

“Do të iniciojmë edhe dy komisione tjera hetimore, njëri do të jetë për tekstet shkollore. Është një proces i degraduar dhe besojmë se ka kaluar edhe shifrat e planifikuara për pagesë”, ka thënë Tahiri të hënën pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit.

Para fillimit të vitit të ri shkollor, Ministria e Arsimit kishte marrë vendim që të bëjë subvencionimin e teksteve shkollore me arsyetimin se shtëpitë botuese kishin rritur çmimet.

Sa i përket kontratave një burimore ai ka thënë se gjatë dy viteve numri i tyre është shumë i lartë, për të cilat ai ka thënë se janë burim i korrupsionit në Kosovë.

“PDK ka arrit me i mbledhë në masë të madhe kontratat një burimore, kontrata të negociuara në tavolinë nga të gjitha digasteret qeveritare dhe do të kërkojmë hetim për kontratat njëburimore të cilat janë burim i korrupsionit në Kosovë. Është jashtëzakonisht i madh shqetësues dhe kjo është arsyeja pse kërkojmë hetim”, tha Tahiri.

PDK-ja ka iniciuar themelimin edhe të dy komisioneve tjera hetimore, ati për punën e shërbimit diplomatik dhe zhdukjen e mostrave të Astrit Deharit në Institutin e Mjekësisë Ligjore.

Tahiri i ka bërë thirre shumicës në Kuvend që të reflektojë për këto dy komisione dhe të formohen ato.