Partia Demokratike e Kosovës do ta bëjë të ditur sot qëndrimin e saj lidhur me ftesën e ushtrueses së detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, për takim me liderët e partive politike.
Këtë e ka bërë të ditur për GazetaBlic, deputetja nga radhët e PDK-së, Vlora Çitaku.
“Sot në ora 14:00 kemi konferencë për shtyp dhe do ta japim qëndrimin tonë”, ka thënë Çitaku.
Haxhiu ka ftuar liderët e partive politike në një takim konsultativ që pritet të mbahet të martën, më 18 gusht, ku temë diskutimi pritet të jetë zgjedhja e presidentit të ri dhe tejkalimi i krizës institucionale.
Ftesa vjen në kohën kur Kosova po përballet me ngërç institucional, ndërsa partitë politike kanë qëndrime të ndryshme për mënyrën e zgjidhjes së situatës.
PDK-ja pritet që sot, në konferencën e planifikuar për ora 14:00, të tregojë nëse do t’i përgjigjet pozitivisht ftesës së Haxhiut dhe nëse do të marrë pjesë në takimin e së martës.


