Lajme

PDK-ja paralajmëron ankesë në Kuvend, Behrami: Nuk do të lejojmë që Kuvendi të kapet nga kjo parti

08/13/2026 09:03
nga:L J

Pas qëndrimit para ndërtesës së Qeverisë, deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës janë zhvendosur drejt Kuvendit të Kosovës, në kuadër të veprimeve të tyre kundër situatës së krijuar institucionale, raporton GazetaBlic.

Mëngjesin e së enjtes, disa deputetë të PDK-së u vendosën para hyrjes së Qeverisë, në pritje të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti. PDK-ja kishte bërë të ditur se ky veprim ishte pjesë e aksioneve të saj për, siç është shprehur kjo parti, “rikthimin e rendit kushtetues”.

Pas konferencës për media, deputetët u nisën drejt Kuvendit, ku pritet të vazhdojnë veprimet e tyre lidhur me situatën e krijuar rreth konstituimit të legjislativit.

Deputeti i PDK-së, Artan Behrami, tha se ata do t’i drejtohen administratës së Kuvendit dhe do të paraqesin ankesë, si gojarisht ashtu edhe me shkrim.

“Ne po presim. Do të shkojmë te sekretarja, do të bëjmë ankesë gojarisht dhe me shkrim. Nuk do të lejojmë që Kuvendi të kapet nga kjo parti, e cila tashmë ka uzurpuar të gjitha institucionet”, tha Behrami.

PDK-ja e ka akuzuar vazhdimisht Lëvizjen Vetëvendosje dhe kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, për bllokim të procesit të konstituimit të Kuvendit.

Në anën tjetër, situata rreth konstituimit të Kuvendit vazhdon të mbetet e tensionuar. Përplasjet mes pozitës dhe opozitës janë zhvendosur edhe jashtë sallës plenare, ndërsa PDK-ja ka paralajmëruar se do të vazhdojë me veprime politike dhe institucionale.

Në një njoftim të saj të mëhershëm sot, PDK-ja tha se deputetët e saj do të qëndrojnë përkrah veprimeve të tjera politike deri në “rikthimin e rendit kushtetues dhe fitoren e Republikës”.

Ndërkohë, deputetët e PDK-së pritet të vazhdojnë qëndrimin e tyre në Kuvend, në pritje të zhvillimeve të reja lidhur me seancën konstituive.