Lajme

PDK-ja kërkon vazhdimin e seancës konstituive për nesër në ora 11:00

08/13/2026 09:23
nga:L J

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Përparim Gruda, ka bërë të ditur se PDK-ja ka dorëzuar kërkesë te kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari, për vazhdimin e seancës së Kuvendit, raporton GazetaBlic.

Gruda ka thënë se kërkesa është bërë që seanca konstituive të vazhdojë nesër, në ora 11:00, duke iu referuar Rregullores së Kuvendit.

“Ne sapo dorëzuam në emër të PDK-së kërkesën në drejtim të kryesuesit Avni Dehari për mbajtjen e vazhdimit të seancës konstituive për nesër, në orën 11:00, siç kërkon Rregullorja e Kuvendit”, ka deklaruar Gruda.

Ai ka thënë se deputetët e PDK-së janë të betuar dhe se, sipas tij, po u pamundësohet ushtrimi i funksionit të tyre nga Lëvizja Vetëvendosje.

“Ne jemi deputetë të betuar dhe këtë funksion po na e pamundëson ta ushtrojmë VV-ja”, ka thënë Gruda.

Në emër të PDK-së, Gruda i ka bërë thirrje kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, që, siç ka thënë ai, ta lejojë kryesuesin Avni Dehari ta thërrasë mbledhjen për vazhdimin e seancës.

“Kushtetuta e Kosovës nuk është statuti i LVV-së. Kushtetuta është akt të cilit duhet t’i nënshtrohet çdo aktivitet politik”, ka deklaruar Gruda.

Kjo kërkesë vjen në kuadër të aksionit të PDK-së, deputetët e së cilës më herët gjatë mëngjesit kanë qëndruar para Qeverisë së Kosovës, ku kanë mbajtur konferencë për media, ndërsa më pas janë zhvendosur në Kuvend për të vazhduar veprimet e tyre lidhur me konstituimin e kuvendit.