Partia Demokratike e Kosovës nëpërmjet kandidatit të saj për kryeministër, Bedri Hamaza, ka deklaruar se do t’i votojë marrëveshjet ndërkombëtare në Kuvendin e Kosovës.
Fiks për këtë çështje, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti të hënën kishte ftuar në darkë pune liderët e partive kryesore opozitare. Në këtë darkë ka shkuar vetëm kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi.
“PDK-ja do t’i votojë marrëveshjet ndërkombëtare. Për neve, për mua si kandidat për kryeministër, prioritetet janë të qarta: fillimisht interesi i vendit, i partisë politike dhe në fund për neve si individ brenda partisë. Por mbi të gjitha interesi i qytetarëve të vendit”, ka thënë Hamza.
“Kosova është nën masa dhe janë qindra miliona euro të bllokuara si rezultat i moskoordinimit dhe mos bashkëpunimit me faktorët relevantë ndërkombëtar. Këtu kemi të bëjmë me dëmtim të reputacionit të vendit”, ka shtuar ai.
Hamza ka qenë kritik i fondeve që nuk janë shfrytëzuar.
Përveç milionave që janë bllokuar, ka edhe qindra miliona të tjera që janë të bllokuara dhe që nuk janë të shfrytëzuara si rezultat i paaftësisë për t’i shfrytëzuar. Sa herë të ketë nënshpenzim, nënkupton se është mospunë. E kuptoj kur projektet presin për financim, por nuk i kuptoj ato kur presin paratë për t’i shpenzuar”, ka thënë ai.
Ai është pyetur nëse gjatë takimit Kurti-Krasniqi ishte arritur marrëveshja që Hamza të jetë kandidat për kryeministër dhe që të ketë koalicion të mundshëm mes VV-së dhe PDK-së. Mirëpo Hamza ka mohuar një marrëveshje të tillë.
“Nuk bëhet fjalë për kurrëfar koalicioni. Ne jemi në garë për të punuar fort që t’i bindim qytetarët me program, me ekip, me listë me të gjithçka që kërkon fushata”, ka thënë Hamza.