Lajme

PDK: Guximi dhe vepra e Enver Zymerit do të përkujtohet si shembull i atdhedashurisë dhe profesionalizmit

07/26/2024 12:51
nga:Sh R

Partia Demokratike e Kosovës ka reaguar me rastin e përvjetorit të 13 të rënies në detyrë të heroit, Enver Zymeri.

Në një komunikatë për media, PDK thotë se Zymeri ra duke mbrojtur integritetin territorial dhe sovranitetin e vendit dhe se guximi e vepra e tij do të përkujtohet si shembull i atdhedashurisë dhe profesionalizmit

“Me nder e krenari, sot kujtojmë policin Enver Zymberi, i cili 13 vjet më parë ra në krye të detyrës duke mbrojtur integritetin territorial dhe sovranitetin e vendit. Ai është Hero i Kosovës së Pavarur, guximi dhe vepra e të cilit do të përkujtohet ndër breza, si shembull i atdhedashurisë dhe profesionalizmit.

Prandaj sot, në këtë Ditë Memoriale, nderojmë jetën dhe veprën e Heroit Enver Zymberi dhe të gjithë Policëve të Rënë në Detyrë”, thuhet në reagim.

Polici, Enver Zymeri, u vra më 26 korrik 2011 gjatë një aksioni në veri të vendit.

Më 27 korrik 2021 ishte zbuluar pllaka përkujtimore për 21 heronjtë e Policisë së Kosovës që kanë rënë në krye të detyrës ndër vite.

Nga atëherë, në krye të detyrës gjatë përballjes me grupin kriminal serb në Banjskë ka rënë edhe polici Afrim Bunjaku.

Policët e rënë në krye të detyrës janë Lazim Rexhepi, Danush Hasani, Hajdar Ahmeti, Sabahate Tolaj, Isuf Haklaj, Arsim Rrustolli, Ilir Llaptinca, Driton Mehana, Abedin Mustafa, Avni Kasumi, Triumf Riza, Slavisa Milovanovic, Misin Krasniqi, Enver Zymeri, Jahi Maliqi Nebih Ramadani, Shemsi Gashi, Armend Trena, Malsor Dashi, Izet Demaj, Sami Thaqi, Arben Sejdiu dhe Afrim Bunjaku.