Dragashi është një nga komunat që ka shkuar në balotazh dhe qytetarët e saj do t’i drejtohen sërish kutive të votimit më 9 nëntor, raporton Gazeta Blic.
Ata do të mund të votojnë për Behxhet Xheladinin nga LDK dhe Shaban Shabanin nga PDK.
E ky i fundit pritet sot të nënshkruajë marrëveshje koalicioni me Lëvizjen Vetëvendosje dhe Koalicionin Vakat.
Burime të Gazeta Blic bëjnë të ditur se gjatë ditës së sotme pritet të formalizohet nënshkrimi i një marrëveshjeje koalicioni mes Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) – dega në Dragash, Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) dhe partive të komuniteteve minoritare që veprojnë në këtë komunë.
Ky koalicion synon të krijojë një bashkëpunim të gjerë politik në prag të balotazhit për zgjedhjet lokale, me qëllim të bashkërendimit të forcave për një qeverisje lokale stabile dhe gjithëpërfshirëse.
Sipas burimeve, palët tashmë kanë harmonizuar shumicën e pikave të marrëveshjes, ndërsa ceremonia e nënshkrimit pritet të zhvillohet brenda ditës së sotme në Dragash.
Ky zhvillim shihet si një lëvizje e rëndësishme politike që mund të ndikojë dukshëm në balotazhin e ardhshëm, duke ndryshuar raportet e forcave në këtë komunë./Gazeta Blic/


