Lajme

PDK e voton, AAK s’ka diskutuar| A do të jetë Dimal Basha sërish nesër kandidat për kryetar të Kuvendit?

08/25/2025 21:39
nga:G B

Emri i deputetit të VV-së, Dimal Basha, për kryetar të Kuvendit, duket se ishte befasi në seancën konstituive të së dielës.

Ai nuk arriti t’i marrë 61 vota, aq sa nevojiten për t’u bërë kryetar i Kuvendit.

Përpos votave të partisë së tij e partive me të cilat janë në koalicion, Basha mori dhe votën e deputetit të LDK-së, Arben Gashi dhe atë të Bekë Berishës nga AAK.

Por, PDK ishte ajo që duket se u befasua nga nominimi i Dimal Bashës, teksa kërkoi 10 minuta pauzë për konsultime, gjë që nuk iu lejua nga kryesuesi i seancës, Avni Dehari.

PDK kishte deklaruar se do të votonte për të gjithë kandidatët që nuk kanë qenë pjesë e qeverisë, megjithatë nuk e bëri për Bashën, për çka mori mjaft kritika.

Mirëpo, PDK kanë thënë se do të votojnë pro Bashës.

Deisa nesër do të mbahet seanca e radhës, nuk dihet nëse Dimal Basha do të jetë sërish kandidat.

Gazeta Blic ka tentuar të marrë një përgjigje nga deputeti, por që i njëjti nuk ka kthyer përgjigje.

E, përgjigje nuk kanë kthyer as nga Lëvizja Vetëvendosje, për të konfirmuar nëse ai do të jetë i propozuar sërish ose jo.

Derisa nga PDK kanë thënë se do ta votojnë, nga AAK duket se s’kanë votë.

Deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, tha për Gazeta Blic se procesi nuk është aspak transparent nga VV.

“Siç po e shihni nga VV ky proces nuk ashte transparent, dhe ne kemi kërkuar konsulta shtesë, në mënyrë që të kemi vendimmarrje”, u shpreh ajo.

Deputetja theksoi se i kanë dhënë emrat që do të mund t’i votonin dhe nuk kanë diskutuar për Dimal Bashën.

“Ne i kemi dhënë disa emra dhe do t’i përmbahemi asaj çfarë kemi thënë. Për Dimal Bashën s’kemi thënë e s’kemi diskutuar”, deklaroi deputetja Time Kadrijaj./Gazeta Blic/

“Veç deshëm të dimë a e kanë seriozisht”/ Çitaku: PDK-ja e voton Dimal Bashën për kryetar Kuvendi