Lajme

PDK dorëzon në Kushtetuese vendimin e VV-së dhe Listës Serbe për 11 milionë eurot e ndara për rrymën e shpenzuar në Veri

05/14/2021 15:47
nga:M K

Në emër të deputetëve të Grupit Parlamentar të PDK-së, deputetja Blerta Deliu – Kodra ka dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për vlerësimin e kushtetueshmërisë së vendimit të Kuvendit të Kosovës për ndarjen e 11 milionë eurove, për pagesën e energjisë elektrike për katër komunat e veriut të Kosovës, thuhet në një njoftim të kësaj partie.

Deliu – Kodra ka thënë se ky vendim i Kuvendit, i mbështetur nga deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje dhe Listës Serbe ka dëmtuar buxhetin e Kosovës, duke marrë në mënyrë anti kushtetuese taksat e qytetarëve të Kosovës, për të paguar energjinë e shpenzuar nga qytetarët dhe bizneset në veri të vendit.

“Kjo përbën shkelje kushtetuese për shkak të trajtimit të parabartë të qytetarëve para ligjit. Kushtetuta e Kosovës dhe ligjet duhet të jenë të bartabarta dhe të zbatueshmë sikur për qytetarët e jugut ashtu edhe për ata të veriut. Ne presim që Gjykata Kushtetuese ta trajtojë në merita këtë rast dhe brenda afatit ligjor t’i japë të drejtë kësaj kërkese dhe ta shfuqizojë vendimin e Kuvendit”, ka thënë ajo.

Deliu – Kodra ka rikujtuar që edhe Qeveria e kaluar, e udhëhequr nga Albin Kurti para 1 viti kishte paguar 10 milionë euro për pagesën e rrymës së serbëve në veri, ndërsa tani nëpërmjet vendimit në Kuvend Vetëvendosje ndau edhe 11 milionë euro tjera, thuhet ndër të tjera në njoftim.

“Pra, brenda një periudhe 1 vjeçare qeveria e Albin Kurtit i ndau 21 milionë euro për energjinë e shpenzuar në veri të vendit nga qytetarët dhe bizneset atje. Me këto 21 milionë euro, Qeveria ka mundur të blejë vaksinat anti-COVID për të gjithë qytetarët e Kosovës e jo t’i mbyllë sytë para katastrofës pandemike që ndodhet vendi”, ka theksuar ajo.

LEXO EDHE:

Pahor në Serbi: Vendet e Ballkanit, bashkë në BE