Lajme

“PDK dhe VV kanë inate të vjetra”, “PDK-ja po dëmton veten”- Paralajmërohet bllokim në punën e Kuvendit, ngecje në zhvillim të vendit

07/25/2023 19:26
nga:Genita C

Drejtori Ekzekutiv i Insitutit për Studime Evropiane dhe Globale, Jeton Halimi thotë se PDK-ja dhe VV’ja po vazhdojnë inatet e vjetra. Këtë deklaratë e bëri pas vendimit të fundit të partisë më të madhe opozitare, për të mos votuar në Kuvend.

Halimi në një prononcim për GazetaBlic thotë se, edhe VV’ja gjatë kohës kur ishte në opozitë nuk votoi asnjë ligj partive që ishin në pushtet.

“Vendimin e PDK-së më shumë e shoh si inate politike mes PDK-së e VV’së, shto këtu, VV’ja sa ishte në opozitë asnjë ligj nuk e kishte votuar as mbështetur të partive në pushtet”, tha ai.

“VV’ja si parti në pushtet nuk po mundet të ju bëjë ballë kërkesave të SHBA-së dhe BE-së, por po mundohet që në heshtje të themelojë Zajednicën, apo siç e quan kryeministri Kurti, vetëmenaxhimin. Gabimi i radhës është edhe ai i Besnik Bislimit me ju vë kushte SHBA-së dhe BE-së, kjo është skandaloze dhe qesharake”, shtoi Halimi.

Analisti politik, Fidan Ukaj thotë se PDK-ja ka të drejtë të merr vendim për të mos votuar në Kuvend, por sipas tij, votuesit e tyre iu dhanë besimin që t’i përfaqësojnë.

” E drejta e një subjekti politik për të mos votuar apo bojkotuar votimet në seancat e Kuvendit të Kosovës, por mendoj se votuesit e PDK-së, deputetëve të kësaj partie iu kanë dhënë besimin që t’i përfaqësojnë aty, varësisht nga divergjencat me pushtetin, ata duhet t’i përkrahin dhe t’i votojnë ligjet që kanë në fokus jetën e qytetarëve”, tha Ukaj.

Ukaj për GazetaBlic tha se, mungesa e votës së PDK-së nuk luan rol të madh dhe sipas tij, kjo parti po e dëmton veten dhe jo pushtetin.

“Mungesa e votës së PDK-së në Kuvend nuk është se bën diferencën apo len zbraztira bnë kalimin e ligjeve me votim të thjeshtë, përjashto atyre që duhen 2/3, mendojë se më shumë i bën dëm vetë PDK-së një deklarim i tillë, sesa pushtetit”, tha Ukaj për GazetaBlic.

Ndërsa, sipas analistit Gazmir Raci zgjedhjet e parakohshme nuk janë zgjidhje ku edhe thotë se kjo nuk është praktikë e mirë e PDK-së.

Raci në një prononcim për GazetaBlic thotë se, në situatën që jemi na duhet Qeveri stabile.

“Nuk besoj që kjo mazhorancë e rezon veten. Nuk është praktikë e mirë kjo që e pati instalu PDK që me e dërgu veten në zgjedhje të parakohshme. Ne jemi demokraci e re dhe nuk mund të konsiderojnë veten si Italia e cila njifet si kampione e zgjedhjeve te parakohshme”, thotë ai.

“Na duhet Qeveri stabile edhe për shkak të finalizimit të dialogut për normalizim dhe zbatim të planit franko-gjerman. Besoj që as komuniteti ndërkombëtarë nuk është në favor që të kemi zgjedhje tani, pikërisht për shkak të dialogut, finalizimin për shkak të rrethanave edhe gjeopolitke”, shtoi Raci.

Njohësi i çështjeve politike, Dritëro Arifi thotë se me vendimin e fundit të PDK-së mund të ketë ngecje në zhvillimin e vendit.

Arifi në një prononcim për GazetaBlic theksoi se, marrëveshjet ndërkombëtare nuk mund të kalojnë pa PDK-në dhe kjo shkon automatikisht në pasoja për Kosovën.

“Vendimi i PDK-së që mos të votojë në Kuvend dhe mos të merr pjesë në Kryesinë e Kuvendit, e paralizon pjesërisht punën e kësaj të fundit dhe punën e Kuvendit. Me mospjesmarrjen e Partisë Demokratike në Kuvend automatikisht nuk mund të votohet asnjë ligj që ka të bëjë me marrëveshjen ndërkombëtare, kjo i bie që nuk mund të kemi zhvillim të vendit”, tha Arifi.

“Kjo do të ndikojë negativisht në mirëqenien e qytetarëve të Republikës së Kosovës, prandaj partitië politike duhet të ulen e të bisedojnë që të gjendet një zgjidhje, ose të shkohet në zgjedhje. Nëse vazhdohet me këtë tempo, Kuvendi i Kosovës do të jetë jo fuqiplotë dhe jo funksional për marrëveshjet ndërkombëtare”, shtoi Arifi për GazetaBlic.

Kujtojmën se, shefi i deputetëve të PDK-së, Abelard Tahiri ka theksuar se PDK po kërkon që sa më shpejt vendi të shkojë në zgjedhje.

“Ne marrim pjesë në votim në Kuvend, vetëm kur të shpërbëhet Kuvendi”, ka theksuar ai para gazetarëve.

Sipas tij, “Koalicioni Zdravo” nuk mundet më të udhëheq vendin.

Tahiri ka thënë se për zgjedhjet në very, PDK do të koordinohet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Ne do të ndërmarrim cdo veprim demokratik, që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme”, tha ai. /GazetaBlic/

“PDK nuk merr pjesë në asnjë votim në Kuvend”, LVV-ja: Ky vendim nuk na pengon asgjë!