Lajme

PD prezanton programin për mbrojtjen e familjes

02/19/2025 20:40
nga:Y I

PD ka prezantuar programin për mbrojtjen e familjes kundër shpopullimit.

Teksa prezantoi “Paketën e Emergjencës” kreu I PD Sali Berisha tha se objektivi i qeverisë së PD-së, do jetë shtimi i popullsisë çdo vit. Ai premtoi një kuadër të veçantë ligjor për nënat kryefamiljare, pas ardhjes së PD-së në pushtet.

“Kjo përpjekje, ky objektiv, për një familje të fortë, për një familje të konsoliduar, për një familje plot jetë, kërkon një përballje shumë planëshe. Prapë unë theksoj, e para varfëria. Në qoftë se ne nuk i bëjmë me urgjencë një sulm frontal varfërisë ekstreme, shqiptarët në qindra dhe mijëra do të vazhdojnë të ikin nga Shqipëria dhe familja shqiptare do zvogëlohet dhe do jetë gjithnjë në vështirësi.

Ndaj dhe ajo paketë, që ne e kemi quajtur Paketë Emergjence ka një synim. Të zhdukë varfërinë ekstreme. Nuk zhduk varfërinë ajo se varfëria ekziston në çdo vend, por varfëria ekstreme në një vend me situatën ekonomike të Shqipërisë ekziston vetëm sepse ai vend vidhet, vidhet dhe vetëm vidhet nga qeveritarët.

Asnjë shkak, asnjë arsye, nuk ka që kjo varfëri të ekzistojë. Ju them unë, çfarë ndodhi në Kukës? Sapo erdhi në pushtet Edi Rama hoqi ndihmën ekonomike për 20 mijë banorë në Kukës sepse votuan kundër, sepse qarku votoi kundër Partisë Socialiste. Mirëpo, ata që e njohin Kukësin e dinë që përveç pak fshatrave, fare pak fshatrave, në përgjithësi fshtatrat e atij qarku, janë fshatrat me më pak tokë. Janë fshatra të cilat pa ndihmë ekonomike nuk mund të jetojnë banorët. Dhe cila ishte Shqipëria në atë vit? Shqipëria atë vit duhet të shtonte, kishte 120 mijë qytetarë me ndihmë ekonomike, duhet të shtonte të paktën edhe 60 mijë të tjerë me regjistër.

Dhe po të shtonte dhe këta 60 mijë, dhe ndihmën ekonomike, Shqipëria do realizonte atë që do realizojmë ne tani. E përjashtonte varfërinë ekstreme apo mjerimin. Përkundrazi, ato erdhën duke u thelluar dhe sot në një kohë kur 41% e popullatës janë në rrezik varfërie dhe janë varfëri, ndihmë ekonomike marrin gjithsej 61 mijë qytetarë. E gjitha kjo është një qëndrim armiqësor ndaj shqiptarëve dhe kjo merr fund në tre muajit e parë të qeverisjes sonë”, tha Sali Berisha.