Lajme

PD për zgjedhjet e pjesshme: Kandidatët e Berishës nuk kanë asnjë lidhje me ne

01/29/2022 23:38
nga:E K

Partia Demokratike ka reaguar pas publikimit të emrave të kandidatëve për kryetarë bashkie në zgjedhjet e pjesshme të 6 marsit nga Komisioni i Rithemelimit.

Në një deklaratë për mediat, selia blu thotë se emrat e shpallur nga Komisioni nuk janë kandidatë të Partisë Demokratike.

“Berisha mund të përdorë çdo njeri për hallin e non-gratës së tij, por as ai, dhe as ata nuk kanë më asnjë lidhje me Partinë Demokratike. Ky është përdorimi dhe mashtrimi i radhës që Sali Berisha u bën edhe atyre pak demokratëve që nuk e kanë kuptuar akoma hallin e tij”, thuhet në reagimin e PD.

Partia Demokratike u regjistrua disa ditë më parë pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për të marrë pjesë në zgjedhjet e pjesshme të 6 marsit.

PD ka paraqitur një vërtetim të datës 24 janar 2022 të Gjykatës së Tiranës, ku thuhet se Lulzim Basha është kryetar i saj.

KQZ në vendimin e saj thotë se Basha është personi i vetëm i autorizuar për të paraqitur emrat e kandidatëve të PD në këto zgjedhje.

Komisioni i Rithemelimit publikoi sot emrat e pretendentëve për kandidatë për kryetarë në 6 bashkitë ku do të mbahen zgjedhjet e pjesshme më 6 mars.