Kandidati i Partisë Demokratike për qarkun e Dibrës, Basir Çollaku, ka akuzuar se kundërshtarët politikë në PS po shpërndajnë miell në këmbim të votës për zgjedhjet e 11 majit.
Në një postim në Facebook, Çollaku thotë se një furgon me ngjyrë të verdhë ka ndaluar në fshatin Bushkash, duke shpërndarë produkte dhe duke ushtruar presion.
“Furgoni i miellit?!?! Apo… Sot rreth 17:30 një furgon “Mercedez Benz”, sprinter i verdhë sipas njoftimeve nga terreni është futur në zonën e Bushkashit duke ‘inspektuar’ banesat me sajdisje. Në timonin e mjetit ishte një eksponent i PS të Matit“, shkruan Çollaku.
Pas kallëzimit të Çollakut, policia e Matit njoftoi se ka shoqëruar drejtuesin e furgonit, F.L., dhe ka kryer verifikimet e nevojshme. Sipas një deklarate të policisë, pas kontrollit të furgonit dhe hetimeve të realizuara, nuk u konstatua asnjë veprim të kundërligjshëm. “Nga kqyrja dhe veprimet hetimore nuk u konstatua asnjë send apo veprim i kundërligjshëm”, thuhet në njoftimin e policisë.


