Lajme

“Pavel Durov nuk ka asgjë për të fshehur”, thotë Telegrami për themeluesin e arrestuar

08/26/2024 09:04
nga:G C

Pavel Durov, themeluesi me origjinë ruse i Telegramit, i cili u arrestua në Paris, nuk ka asgjë për të fshehur dhe është absurde të mbash një pronar përgjegjës për abuzimin e platformës së mesazheve dhe mediave sociale, tha Telegram në një deklaratë.

Durov, një miliarder 39-vjeçar, u arrestua në aeroportin “Le Bourget” jashtë Parisit pak pasi u ul me një avion privat të shtunën vonë nga Azerbajxhani.

Arrestimi i shefit ekzekutiv të Telegramit nxiti i një paralajmërim nga Moska në Paris se atij duhet t’i njiheshin të drejtat e tij dhe kritika nga pronari i X, Elon Musk, i cili tha se liria e fjalës në Evropë ishte nën sulm, raporton Reuters.

Telegrami, nuk dha detaje për arrestimin, por tha se kompania me bazë në Dubai i respektonte ligjet e Bashkimit Evropian dhe moderimi i saj ishte “brenda standardeve të industrisë dhe vazhdimisht po përmirësohej”.

“Drejtori i Telegramit Pavel Durov nuk ka asgjë për të fshehur dhe udhëton shpesh në Evropë”, tha Telegram. “Është absurde të pretendosh se një platformë ose pronari i saj janë përgjegjës për abuzimin e asaj platforme”.

“Ne po presim një zgjidhje të shpejtë të kësaj situate. Telegrami është me të gjithë ju”

Durov, i cili ka nënshtetësi të dyfishtë franceze dhe të Emirateve të Bashkuara Arabe, u arrestua si pjesë e një hetimi paraprak policor për gjoja lejimin e një game të gjerë krimesh për shkak të mungesës së moderatorëve në Telegram dhe mungesës së bashkëpunimit me policinë, tha një burim i policisë franceze.