Sipas Projektligjit për Konfiskimin e Pasurisë së miratuar nga Qeveria Kurti, një kopje të të cilit e ka siguruar Gazeta Blic, hetimi i pasurisë së zyrtarëve publik do të nis nga periudha e pas shpalljes së pavarësisë- pra nga 17 shkurti i vitit 2008.
Poashtu hetimi do të vlejë deri në 10 vjet, nga momenti që një individ nuk ushtron më funksionin e caktuar publik.
Sipas projektligjit në fjalë, do të mjaftojë një shpërputhje mes të hyrave dhe pasurisë që tejkalon vlerën prej 25,000 eurosh, që Byroja të fillojë procedurën për të konfiskuar pasurinë e zyrtarit.
Sipas këtij projektligji nuk do të vlejë as ‘Parimi i prezymimit të pafajësisë’.
Përveç kësaj, ‘barra e provës’ do të bie mbi palën dhe jo mbi institucionin që akuzon- Byron. Të dy këto çështje, qartësohen prerazi në pak rreshta të nenit 31 të këtij projektligji, të cilin e ka siguruara Gazeta Blic.
“Çdo pasuri e personit në procedurë supozohet se është fituar në mënyrë të pajustifikueshme derisa personi të vërtetojë të kundërtën”, është përmbajtja e fjalisë së dytë të këtij neni, e cila bënë që prezumimi i pafajësisë të mos vlejë.