Lajme

“Pastrimi” reagon ndaj Përparim Ramës, thotë se po pengon punën e tyre – i kërkon të zgjasë dorën e bashkëpunimit

05/06/2025 17:09
nga:G B

KRM “Pastrimi” ka reaguar ndaj kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, teksa ka thënë se ka muaj që ai po pengon punën e tyre, raporton Gazeta Blic.

“Deri më sot, Komuna e Prishtinës i ka borxh ndërmarrjes Pastrimi 2.7 milionë euro. Në vend që Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, të angazhohet që të na ndihmojë të bëjmë zgjidhje për qytetin, ai ka vendosur të bëjë politikë me një ndër problemet kryesore të qytetit tonë”, thuhet ndër të tjera në reagim.

“Pastrimi” ka kërkuar që “në vend të përçarjes, kërkoj publikisht nga Kryetari Rama që të zgjasë dorën e bashkëpunimit dhe së bashku të bëjmë zgjidhjet e duhura në të mirë të qytetarëve dhe punëtorëve”.

Reagimi i plotë:

Ka muaj që Kryetari Përparim Rama ka filluar të pengojë punën e KRM “Pastrimi”. Së pari duke shpallur tenderë të jashtligjshëm për të privatizuar shërbimin e pastrimit, e më pas duke bërë thirrje që faturat e pastrimit të paguhen në Komunë e jo në ndërmarrje.

Për më tepër, dje publikoi një video ku ndër të tjera kërkoi subvencionimin për KRM “Pastrimi”. Sot, Kryetari Rama dhe asamblistët e tij të LDK-së e lëshuan sallën dhe kështu e pamundësuan miratimin e subvencionit. Pra vet bën thirrje për subvencion të ndërmarrjes, dhe vet e pamundëson votimin në Kuvend Komunal.

Deri më sot, Komuna e Prishtinës i ka borxh ndërmarrjes Pastrimi 2.7 milionë euro. Në vend që Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, të angazhohet që të na ndihmojë të bëjmë zgjidhje për qytetin, ai ka vendosur të bëjë politikë me një ndër problemet kryesore të qytetit tonë.

E shfrytëzoj rastin që sikurse çdo herë tjetër, të ftoj Kryetarin Rama që të takohet me ne dhe së bashku të mendojmë për zgjidhjet më të mira për qytetarët e për punëtorët e ndërmarrjes. Punëtorët e ndërmarrjes rrezikojnë të mbesin pa paga, kamionët e pastrimit pa karburante, e ndërmarrjës po i përgatitet falimentimi me veprimet e vetë Komunës.

Sa i përket menaxhmentit të ndërmarrjes, besoj që qytetartët e dijnë që Auditori Shtetëror e ka renditur KRM “Pastrimin” në top 3 ndërmarrjet më të suksesshme në menaxhim, në Kosovë. Kjo falë punës së palodhur të të gjithë punëtorëve të ndershëm që çdo ditë punojnë që Prishtina të jetë më e pastër.

Në vend të përçarjes, kërkoj publikisht nga Kryetari Rama që të zgjasë dorën e bashkëpunimit dhe së bashku të bëjmë zgjidhjet e duhura në të mirë të qytetarëve dhe punëtorëve.