Lajme

“Pastrimi” e deponia, në luftë të përjetshme për mbeturina

2 vite më parë
nga:G B

Kompania për menaxhimin e mbeturinave “Pastrimi”, nuk po i lejon që të zbrazen kamionët me bërllok në deponinë në Mirash, pa u marrë vendim nga gjashtë komunat, të cilave kompania ua largon mbeturinat, që të rrisin çmimin e faturës nga 4.7 në 6 euro në muaj, për shkak, siç thotë kryeshefi ekzekutiv i kësaj ndërmarrjeje regjionale, Burim Kelmendi, të rritjes së çmimit të naftës, hekurit e pjesëve të kamionëve që e ka vështirë t’i mbulojë.

Më herët gjatë ditës dyert e deponisë ia mbylli kryeshefi ekzekutiv i kompanisë për menaxhimin e deponive, Avdullah Haxhiu, nën arsyetimin se KRM “Pastrimi” i kanë afër 400 mijë euro borxh dhe pa i paguar ato s’do të mund të zbrazin kamionët të hënën, të martën e të mërkurën nga dy orë e më pas do të mbyllet krejt deponia për “Pastrimin” nëse nuk paguan borxhin.

Por pavarësisht që deponia ia hapi dyert të hënën në mesditë kompanisë për menaxhimin e mbeturinave, kryeshefi i saj mori vendim që mos të zbrazen kamionët fare pa u rritur çmimi i faturës së mbeturinave, çka do të bëjë që kontejnerët në Prishtinë, Podujevë, Lipjan, Obiliq, Drenas e Fushë Kosovë mos të zbrazen nga bërlloku.