Lajme

“Pasojat mund të jenë të mëdha”/ Vjen paralajmërimi për raportet me SHBA-të

03/09/2025 22:45
nga:G B

Kandidati për deputet nga AAK, Arton Demhasaj, ka folur për raportet Kosovë-SHBA dhe ndikimin që mund të ketë Trump si president i tyre.

Ai në intervistë për Gazeta Blic, paralajmëron  pasoja të mëdha, nëse shikohen deklaratat e Kurtit dhe të eksponentëve të VV-së kundër Trumpit, ashtu siç iu përmend një deklaratë Zelenskyyt.

“Që s’kanë qenë marrëdhëniet e mira me Amerikën e tregojnë faktet, ku për katër vite kryeministri i Republikës nuk ka arritur asnjë udhëtim zyrtar në SHBA, në asnjë nga mekanizmat apo institucionet relevante që të shkojë e të takojë njerëz, dhe kjo tregon për nivelin e marrëdhënieve që i ka Kosova me SHBA-të. Sa i përket asaj se çka mund të ketë pasoja, normalisht që pasojat mund të jenë shumë të mëdha, për shkak se nëse e analizojmë se çka ka ndodhur në takimin Zelenskyy-Trump, ku ata ia përmendin atij një deklaratë në mbështetje të demokratëve apo të Joe Biden për president, dhe nëse kthehemi mbrapa dhe e shohim se çka ka bërë Albin Kurti që me video ka dalë dhe ka bërë thirrje që të mos votohet Trump dhe të votohet Biden, e i shohim pastaj deklaratat e eksponentëve të partisë në pushtet, në ofendime e fyerje të panumërta ndaj zyrtarëve të republikanëve që tash kanë pushtet rreth presidentit Trump, mendoj se në rast se ata fillojnë të merren me këto, siç janë marrë në rastin e Ukrainës, normalisht që pasojat do të jenë shumë të mëdha”, ka vlerësuar Demhasaj.

Por, ai shpreson që SHBA-të nuk e hedhin poshtë investimin e madh të bërë në Kosovë.

“Por, unë gjithmonë shpresoj që SHBA-të nuk e hedhin poshtë gjithë atë investim të madh që e kanë bërë në Kosovë, kështu që do të vazhdojnë ta përkrahin Kosovën, por po besoj që për të vazhduar përkrahjen për Kosovën, politika jonë do të ketë nevojë për një transformim të madh dhe për një qasje komplet ndryshe qysh ka qenë katër vitet e shkuara”, ka deklaruar Arton Demhasaj./Gazeta Blic/