Kryetari i Bujanocit, Arbër Pajaziti, ka reaguar pas diskutimeve në Komitetin për Politikë të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve në ShBA, ku u trajtua edhe çështja e pasivizimit të adresave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës.
Ai e cilësoi si lajm të mirë faktin që ky problem po adresohet në nivel të lartë amerikan, ndonëse sipas tij reagimi ka ardhur shumë vonë.
Në një intervistë për “Info Magazine” të dielën, Pajaziti tha se deri më tani janë pasivizuar rreth 8 mijë adresa të shqiptarëve, duke theksuar se kjo paraqet alarm serioz për të ardhmen e tyre.
“Dhe çka do të ndodhë në të ardhmen për këta shqiptarë? Nëse nuk kthehet gjendja para vitit 2010, edhe nëse ndalet pasivizimi, nuk mund të jemi të kënaqur. Edhe ashtu një ditë pasivizimi do të ndalet, pasi populli shqiptar nuk pasivizohet”, u shpreh ai.
Pajaziti ka nënvizuar se mungesa e veprimit të institucioneve vendore dhe refuzimi i kësaj çështjeje nga BE dhe Serbia e ka vështirësuar situatën. Sipas tij, shpresa e vetme për përmirësim mbetet faktori ndërkombëtar.
“Shqiptarët kanë pasur shpresa se qeveria aktuale, por edhe ajo e mëparshme, do të kërkonte reciprocitet. Kemi qenë të bindur se kjo do të ndodhte, por nuk e kemi parë deri tani. Nuk u pranua çështja e Luginës as nga BE e as nga Serbia. Jemi vonë në disa aspekte, por nuk humbim shpresën. Po punojmë çdo ditë me faktorin ndërkombëtar. Shumë e rëndësishme është ndihma e Kosovës dhe Shqipërisë në forume ndërkombëtare. Vetëm presioni ndërkombëtar mund të sjellë rezultate konkrete sa i përket të drejtave të shqiptarëve në Luginë”, deklaroi Pajaziti.
Çështja e pasivizimit të adresave ka qenë temë e vazhdueshme e kritikave nga përfaqësuesit politikë shqiptarë në Luginë, të cilët e konsiderojnë atë si proces të organizuar për ndryshimin e strukturës etnike në rajon.


