Lajme

Pasi shqyrtoi për të katërtën herë ankesat, Apeli liron nga akuza të dënuarin me tri vite burg për terrorizëm

11/20/2022 12:34
nga:Genita C

Gjykata e Apelit ka aprovuar kërkesën e avokatit Armend Shkoza dhe e ka liruar nga akuza të dënuarin për organizim dhe pjesëmarrje në grupe terroriste, Leunis Frangun, i cili tri herë ishte liruar nga akuzat për terrorizëm nga Gjykata Themelore në Prishtinë, por i cili rast vazhdimisht është kthyer në rigjykim nga Apeli.

Më 13 maj 2022, në herën e katërt Gjykata Themelore në Prishtinë e kishte shpallur fajtor të akuzuarin për organizim dhe pjesëmarrje në grupe terroriste, Leunis Frangun, i cili tri herë ishte liruar nga akuzat për terrorizëm nga e njëjta gjykatë.

Ndërsa, më 29 gusht 2022, pranë Gjykatës së Apelit, ishin shqyrtuar për të katërtën herë ankesat e prokurorisë dhe mbrojtjes për këtë rast, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Në vendimin e Gjykatës së Apelit, thuhet se pasi analizoi aktgjykimin e ankimuar së bashku me shkresat e lëndës, e duke i vlerësuar pretendimin ankimor përkitazi me shkeljet esenciale të dispozitave të procedurës penale, Apeli gjen se aktgjykimi i ankimuar pjesërisht është përfshirë me shkeljen esenciale të dispozitave të procedurës penale nga neni 384, paragrafi 1, nënparagrafi .1.8 të KPPRK-së, dhe se tani me aprovimin e ankesës së mbrojtësit tanimë ky pretendim ankimor mbetet i paobjekt.

“Ndërsa, në pjesën tjetër aktgjykimi i ankimuar nuk është përfshirë me shkeljet esenciale të dispozitave të procedurës penale të pretenduara si në ankesë, mirëpo gjykata e shkallës së parë me aktgjykimin e ankimuar nga provat tjera të administurara në shqyrtim gjyqësor gabimisht ka ardhur në përfundim kur të akuzuarin e ka shpallur fajtor për veprën penale për të cilën është akuzuar sipas aktakuzës së prokurorisë, e për të cilën në vijim gjykata do të jep arsyet më të zgjeruara në këtë drejtim”, thuhet nga Apeli.

Sipas vendimit, Gjykata e Apelit gjen se është i bazuar pretendimi ankimor i mbrojtësit të të akuzuarit Leunis Frangu, avokatit Armend Shkoza, përkitazi me shkeljen esenciale të dispozitave të procedurës penale nga neni 384, paragrafi 1. nënparagrafi .1.8 të KPP-së, ngase se gjykata e shkallës së parë aktgjykimin e ankimuar e ka bazuar në provën e papranueshme respektivisht-Raportin me No.KS-20/012 të 10 marsit 2020, provë kjo e re e paraqitur nga Prokuroria Speciale në fazën e ankimimit ndaj aktgjykimit të mëhershëm, e cila është marrë përmes ndihmës juridike ndërkombëtare në çështje penale e të administruar në shqyrtimin gjyqësor në rigjykim të kësaj çështje penale.

“Nga shkresat e lëndës rezulton se Prokurori i Shtetit me shkresën e datës 14/05/2020, i është drejtuar Gjykatës Themelore për dërgimin e Përgjigjes/Verifikimi i shkresave të dorëzuara për ankesë PPS nr.47/2015 “të dërguara nga Departamenti i Drejtësisë lidhur me çështjen urgjente që ka të bëjë ndihmën juridike ndërkombëtare në rastin L.F,… të cilit akt i është bashkangjitur Raporti Njoftues-L.F nr.Ref.2015-DKT-01, …., PPS.nr…. prej datës …, pra çka vërteton faktin se ky raport-provë është siguruar nga Prokuroria e Shtetit të pranuar nga Departamenti i Drejtësisë nëpërmjet Ministrisë së Drejtësisë sipas kërkesë së Prokurorisë Speciale, PPS.nr.. të datës …, në bazë të nenin 82 par.1 të LBJNÇP (04/L-213), në çështje që ka të bëjë me ndihmën juridike ndërkombëtare në rastin L.F”, thuhet në këtë vendim.

Më tej, thuhet se Apeli gjen se pretendimi ankimor në këtë drejtim është i bazuar ngase aktgjykimi i ankimuar është bazuar në provën e papranueshme e cila është marrë në kundërshtim me nenin 257, paragrafi 2 e lidhur me nenin 219, paragrafi 2 të KPP-së, e cila udhëzon më mënyrë të qartë çështjen e zbatimit të ligjit për Bashkëpunim Juridik Ndërkombëtar në Çështjet Penale përkitazi me kërkesat ndërkombëtare dhe sigurimin e tyre.

“E që sipas Ligji nr. 04/L-213 për Bashkëpunim Juridik Ndërkombëtarë në Çështjet Penale në nenin 82 parasheh autoritet që parashtrojnë kërkesën për ndihmë juridike ku në par.2 të këtij nenit në mënyrë decidive parasheh që; “pas ngritjes së aktakuzës, kërkesa për ndihmë juridike duhet të paraqitet nga gjykata që zhvillon procedurën për të cilën kërkohet ndihmë”, e cila dispozitë jep autoritet vetëm gjykatës për parashtrimin e kërkesë së ndihmës juridike pas ngritjes së aktakuzës, por jo edhe prokurorit i cili sipas paragrafit 1 i jep autoritet që “Gjatë procedurës paraprake deri në ngritjen e aktakuzës, kërkesa për ndihmë juridike të ndërsjellë paraqitet nga prokurori i shtetit i cili udhëheq procedurën për të cilën kërkohet ndihmë”, andaj duke marrë parasysh të lartcekura e bazuar në dispozitën e nenit 257 par.3 rezulton se gjykata e shkallës së parë aktgjykimin e ankimuar e ka bazuar në provën e papranueshme e cila është marrë në kundërshtim me dispozitat e procedurës penale të cekura si më lartë”, thuhet në vendim.

Gjykata e Apelit thuhet se vlerëson se gjykata e shkallës së parë nga provat e administruara gabimisht ka ardhur në përfundim se “i akuzuari përpos që ka marrë pjesë në organizata terroriste ka ndërmarrë aktivitetet me qëllim të përgatitjes luftarake për pjesëmarrjen në luftën në S, përkrah organizatës “….” e më vonë e transformuar në “…”, për shkak se nga këto provat e administruara nuk vërtetojnë se i akuzuari ka kryer veprën penale për të cilën është akuzuar gjegjësisht të ketë qenë në shtetin e S, së dhe t’i jetë bashkangjitur organizatës terroriste”.

Sipas vendimit, duke qenë se gjykata e shkallës së parë me aktgjykimin e ankimuar ka bërë vërtetim të gabuar dhe jo të plotë të fakteve, kjo gjykatë, nga provat materiale, të cilat janë administruar në shqyrtim gjyqësor, duke i çmuar të njëjtat e duke i vlerësuar një nga një e në lidhje me njëra-tjetrën konform dispozitës së nenit 361, paragrafi 2 të KPPRK-së, ka ardhur në përfundim se në këtë çështje penale nga provat e administruara nuk është vërtetuar përtej dyshimit të bazuar mirë se i akuzuari të ketë kryer veprën penale për të cilën është akuzuar sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale.

Sipas Apelit, kjo ngase nga këto provat nuk është vërtetuar elementi qenësor i pjesëmarrjes së të akuzuarit në grup terrorist, e që është element qenësor i veprës penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grup terrorist” nga neni 143, paragrafi 2 të KPRK-së, për të cilën është akuzuar nga prokuroria.

Më pas, në vendim të Apelit janë të elaboruara argumentet mbi të cilat kjo gjykatë ka ardhur deri në këtë vendim.

“Gjykata e Apelit rikujton se bazuar në nenin 7 të KPPRK-së, është detyrim i përgjithshëm i gjykatës, prokurorisë dhe policisë, të cilat marrin pjesë në procedurë penale detyrohen që saktësisht dhe tërësisht t’i vërtetojnë faktet të cilat janë të rëndësishme për marrjen e vendimit të ligjshëm”, thotë vendimi.

Po ashtu, thuhet se ankesa e Prokurorisë Speciale e cila është ushtruar për shkak të vendimit mbi dënimin, në këtë çështje penale është konsideruar si jolëndore ngase kjo gjykatë nga arsye të cekura si më lartë ka ardhur në përfundim se nuk është provuar se i akuzuari ka kryer veprën penale për të cilën akuzohet.