Lajme

Pasi BE-ja la nën hije shkarkimin e Dakës, Ambasada e Britanisë: Të vendosin institucionet për ligjshmërinë e tij

06/15/2021 18:29
nga:M K

Çështja e shkarkimit të Valdete Dakës nga pozita e kryetares së KQZ-së e më pas arsyetimi që u dha nga presidentja Osmani për një vendim të tillë kanë ngjallur reagime të mëdha në Kosovë.

Forma e shkarkimit si dhe arsyetimi i vendimit nga njohës të çështjeve juridike, mirëpo edhe nga opozita po konsiderohen tërësisht jo ligjore. Si rrjedhojë, vendimi i presidentes Osmani mund të përfundojë shumë shpejt në Kushtetuese, ashtu siç paralajmëroi sot vet Valdete Daka.

Në lidhje me veprimin e presidentes Osmani për shkarkimin e Dakës, në një përgjigje për lajmi.net kanë folur ambasada e Britanisë së Madhe në Prishtinë.

Këta të fundit kanë thënë se janë në dijeni për zëvendësimin e kryesuesit të KQZ-së dhe reagimet në lidhje me vendimin. Në të njëjtën kohë, Britania e Madhe thekson se institucionet e Kosovës duhet të vendosin nëse ky vendim mund të kundërshtohet ligjërisht, pra përmes gjykatave.

“Ne jemi të informuar për zëvendësimin e kryetarit të KQZ-së dhe reagimet për vendimin. Institucionet kosovare duhet të vendosin nëse ky vendim mund të kundërshtohet ligjërisht”, kanë thënë në një përgjigje nga ambasada britanike.

E vet Valdete Daka në një adresim para mediave ka thënë se presidentja Osmani ka përmbushur kërcënimin dhe premtimin e saj gjatë fushatës.

Ajo ka thënë se arsyetimet e dhëna nga Osmani janë qesharake dhe se vendimi është tërësisht i porositur.

“Ka përmbushur kërcënimin dhe premtimin gjatë fushatës zgjedhore për shkarkimin tim. Ky vendim është jo kushtetues dhe jo ligjor. Arsyetimet janë qesharake dhe shihet qartë se është vendim i porositur”, tha ajo.

Për shkarkimin e Dakës ndërkaq ka pasur reagime të shumta edhe nga partitë opozitare në Kosovë, të cilat kanë vënë theksin tek rrezikimi i demokracisë në vend duke aluduar në një vendim arbitrar të Vjosa Osmanit, jo të bazuar në fakte dhe puro-politik.

Në vend të Valdete Dakës, kryesues në KQZ është emëruar Kreshnik Radoniqi.

LEXO EDHE:

Presidentja Osmani ia vazhdon mandatin EULEX-it edhe për një vjet