Lajme

Pas votimit kundër referendumit, nesër shqyrtohet një tjetër projekt-rezolutë

01/16/2022 18:48
nga:Gazeta Blic

Një projekt-rezolutë lidhur me Ligjin mbi Pagat e Zyrtarëve Publikë pritet të shqyrtohet nga Kryesia e Kuvendit të Kosovës për të zërë vend në rendin e ditës të seancës së ardhshme parlamentare.

Pas miratimit të projekt-rezolutës kundër organizimit të referendumit të Serbisë në Kosovë, draft-rezoluta e propozuar nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës pret në radhë për shqyrtim.

Projekt-rezoluta lidhur me Ligjin mbi Pagat e Zyrtarëve Publikë do të shqyrtohet paraditen e së hënës në një mbledhje të Kryesisë së Kuvendit, raporton Paparaci.

Për herë të fundit, më 14 dhjetor, projekt-rezoluta e propozuar nga AAK-ja nuk u hodh në votim. Mungonte kuorumi në seancën e kuvendit.

Më 2020, Gjykata Kushtetuese e Kosovës e kishte shfuqizuar Ligjin për Pagat.

Sipas Gjykatës, Ligji për Pagat në Sektorin Publik, në tërësinë e tij, nuk është në përputhshmëri me Kushtetutën.

Sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese zyrtarët publikë nuk do t’i marrin pagat e rritura sipas Ligjit që ishte miratuar më 2019.