Pas Remzi Ejupi, i cili mbrëmë e konfirmoi kandidaturën e tij për president të Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), duke treguar se po e bën një program me ekspertë ndërkombëtar, sot edhe Arianit Ahmeti edhe zyrtarisht konfirmon kandidaturën e tij për kryetar.
Kështu Ejupi dhe Ahmeti bëhen dy kundërkandidatë të presidentit aktual të FFK-së, Agim Ademit, për zgjedhjet që do të mbahen në FFK më së largu deri në korrik, ndonëse data ende nuk është caktuar.
I kontaktuar Ahmeti tha se tashmë i ka siguruar nënshkrimet e 15 delegatëve, aq sa kërkohen me statut të FFK-së për kandidim. Për më tepër, theksoi se shumë shpejt do ta publikojë edhe programin e tij për futbollin e Kosovës.
“Ju konfirmoj se e kam mbështetjen e klubeve, mbi 15, të nevojshme për kandidim për kryetar të FFK-së. Në ditët në vijim do ta prezantojë programin tim për udhëheqje të FFK-së”, tha ish zëvendëssekretari i FFK-së, i shkarkuar nga ky post, por që pastaj shkarkimi i tij ishte konstatuar i jashtëligjshëm nga Inspektorati i Punës dhe Gjykata Themelore në Prishtinë.
“Me të gjithë futbolldashësit do të bashkëpunojë për ta bërë ndryshimin e duhur për ta zhvilluar futbollin tonë, që viteve të fundit u degradua shumë nga Agim Adem, i cili ia humbi shkëlqimin dhe imazhin pozitiv që e kishte futbolli ynë”, u shpreh Ahmeti, i cili fillimisht ishte bashkëpunëtor i Agim Ademit pas emërimit të tij kryetar i FFK-së pas vdekjes së Fadil Vokrrit.
Por, pastaj raportet e tyre morën dimension tjetër, me ç’rast Ahmeti u shndërrua në kundërshtarin më të madh të Ademit tash e një kohë shumë të gjatë.
Ai bën thirrje për një proces demokratik zgjedhor në futbollin kosovar. “Për futbollin tonë është e domosdoshme që zgjedhjet në FFK të jenë të lira, transparente dhe demokratike, e jo zgjedhje të montuara apo të dirigjuara. Gara për kryetarin e FFK-së duhet me qenë për programet më të mira e jo për klanet më të forta”, shtoi Ahmeti.
Derisa Agim Ademi thuajse sigurt do ta kërkojë një tjetër mandat në krye të FFK-së, Ejupi dhe Ahmeti tashmë konfirmuan kandidaturat e tyre. Ndërsa, shumë muaj më parë edhe dy persona të tjerë e kishin konfirmuar kandidimin. Bëhet fjalë për ish kryetarin e Llapit, Nexhat Dumnica, dhe trajnerin Bekim Shotani. Por, muajve të fundit ata kanë heshtur dhe nuk dihet nëse u qëndrojnë prapa kandidaturave të tyre apo janë tërhequr.
Në qarqet e futbollit kosovar përmenden edhe disa emra të tjerë, si kandidatë të mundshëm, por zyrtarizim kandidaturash tjera tash për tash nuk ka. Gazeta Express


