Lajme

Pas protestës së PSD-së – ZRrE: Partitë të përmbahen nga tendencat për të përfituar politikisht

02/14/2022 14:24
nga:N M

Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRrE) ka reaguar pas protestës që po zhvillohet tash e disa orë në ambientet e ZRrE-së nga Partia Socialdemokrate (PSD).

Në një postim në Facebook ata kanë kërkuar që partitë politike të përmbahen nga siç shkruajnë ata “tendencat” për të fituar politikisht duke dëmtuar punën e ZRrE-së.

“ZRRE fton të gjitha partitë politike të përmbahen nga tendencat për të përfituar politikisht duke dhunuar e penguar punën e ZRRE-së”, shkruhet në reagim.

Tutje ata kanë shtuar se vendimet e ZRrE-së janë të publikuara në faqen e këtij institucioni.

Njoftimi i plotë:

Njoftim

Me metoda të dhunshme dhe në mënyrë të paprecedentë, anëtarë të partisë politike PSD kanë hyrë sot në hapësirat e punës së Zyrës së Rregullatorit për Energji, duke i pamundësuar punën stafit të ZRRE.

Të gjitha vendimet e Bordit të Zyrës së Rregullatorit për Energji janë të publikuara në faqen elektronike të ZRRE-së. Vendimet e Bordit, pas marrjes së tyre, revidohen dhe draftohen ligjërisht nga departamentet e ZRRE-së dhe bëhen publike pas integrimit të të gjithë komenteve të anëtarëve të Bordit. Ky është proces i rregullt dhe ZRRE pret ta publikojë draftin gjatë kësaj jave.

Komunikata për media dhe përgjigjet ndaj komenteve të palëve të interesit tashmë janë publikuar.

ZRRE fton të gjitha partitë politike të përmbahen nga tendencat për të përfituar politikisht duke dhunuar e penguar punën e ZRRE-së.

PSD mbyll me çelës dy zyra të ZRrE-së