Sporti

Pas propozimit të “Plisave”, KB Prishtina zgjedh kryetarin e ri

11/14/2022 23:52
nga:Lorik J

KB Prishtina përmes një komunikate ka bërë të ditur se pas mbledhjes së jashtëzakonshme të Bordit të klubit është vendosur që ushtrues detyre i Kryetarit të skuadrës të zgjidhet, Blerand Stavileci.

Siç thuhet në njoftimin e KB Prishtinës me propozim të tifogrupit ‘Plisat’, konkretisht Kryetarit të tyre dhe me miratim unanim është vendosur që Stavileci të zë vendin e tashmë ish-presidentit, Burim Maraj.

”Sonte në Zyret e Klubit u mbajt mbledhje e jashtëzakonshme e Bordit të Klubit pas situatës së krijuar me rastin e dorëheqjes së Presidentit z. Burim Maraj. Me propozim të Plisave, Kryetarit të Plisave në cilësinë e anëtarit të bordit, dhe me miratim unanim të të gjithë anëtarëve pjesëmarrës, u vendos që ushtrues detyre i Kryetarit të Klubit të zgjedhet z. Blerand Stavileci. Gjithashtu Bordi i Klubit votoi unanimisht për lirimin nga detyra të menaxhmentit të klubit,” thuhet në postimin e klubit.

Kujtojmë se Stavileci edhe më parë kishte qenë president i bardhë e kaltërve, mirëpo në vitin 2019 kishte dhënë dorëheqje për shkak të ligjit për parandalimin e konfliktit të interesit.

Ligj i cili ndalon që një person të jetë zyrtar publik dhe njëherit edhe kryetar i klubit si organizat qeveritare.

Ndërkaq, sot presidenti i deritanishëm, Burim Maraj dha dorëheqje pas pothuajse dy viteve në krye të kryeqytetasve.

“Prishtinë ishte nder! Pas pothuajse 2 viteve në krye të Klubit më të mirë në botë, e për afro 3 dekadave si lojtar dhe anëtar i tij, duke tejkaluar shumë sfida dhe përjetuar shumë knaqësi, për arsye personale që lidhen me angazhimet e mia të reja, sot kërkova nga bordi i klubit të më liroj nga pozita e kryetarit. Me kompletimin e skuadrës edhe me dy super lojtar, jam i sigurt në suksesin e kësaj skuadre për këto dy vitet e ardhshme. Ishte vërtetë privilegj të udhëheqë ‘Shtëpinë e Kampionëve’. I lumtur që Klubin po e lë në gjendje dhe pozitë shumë më të mirë se që e kam gjetur, Ju falenderoj gjithëve për kontributin, mbështetjen dhe besimin. Skuadrës faleminderit për triumfin në ndeshjen e fundit si kryetar i klubit. SUKSESE TË MËTUTJESHME KLUBI IM I ZEMRËS – SIGAL PRISHTINA”, shkroi ai në Facebook.