Showtime

Pas nderimit që ia bënë Dardanët në Prishtinë, reagon Rita Ora: Të dua Kosovë, vendi im më i preferuar në të gjithë botën

09/10/2023 08:50
nga:G C

Në stadiumin “Fadil Vokrri” të shtunën u zhvillua ndeshja në mes të Kosovës dhe Zvicrës e vlefshme për kualifikim në “Euro 2024”, e cila përfundoi në rezultar 2-2.

Në tribunë, tifozët Dardanë kishin përgatitur një koreografi për të nderuar lojtarët e Kosovës, policët, ushtarët dhe mjekët.

Ndërsa në krye të banerit gjigant ishte vendosur ylli shqiptar me famë botërore, Rita Ora, me shallin me flamurin e Kosovës – nga sekuencat e klipit të famshëm “Shine Ya Light”.

E mesa duket një nderim i till i ka rënë në sy edhe vet këngëtares së hiteve ndërkombëtare, e cila i rishpërndau pamjet pë 16 milionë ndjekësit e saj në Instagram.

Fillimisht ajo rishpërndau një fotografi të një faqeje fansash të Përfaqësueses së Kosovës, ku shkruhej: “Prezenca e saj na solli neve fat”.

Ndërsa më pas, këngëtarja e lindur në Prishtinë rishpërndau videon e Presidentes Vjosa Osmani, ku shkroi në mbishkrimin e saj: “Të dua Kosovë, vendi im i preferuar në të gjithë botën”.